Telegrafi

Mediat zvicerane: Shaqiri pozon me imamin radikal

Takimi i Xherdan Shaqirit me hoxhën Shefqet Krasniqi, nuk është shikuar me sy të mirë nga mediat në Zvicër.

Futbollisti shqiptar që përfaqëson helvetikët, ditë më parë ka pritur në shtëpinë e tij imamin e Xhamisë së Madhe të Prishtinës, me të cilin ka bërë disa fotografi që përfunduan në mediat shqiptare.

Mirëpo, duke pasur parasysh ndikimin e mesfushorit të Interit në arenën ndërkombëtare, këto fotografi janë publikuar edhe nga mediat ndërkombëtare.

20min.ch e ka titulluar lajmin: “Shaqiri pozon me imamin radikal” dhe thirret në informacionet e Sueddeutsche Zeitung duke theksuar se “Krasniqi u arrestua në shtator me 14 islamistë të tjerë si të dyshuar për terrorizëm, si kërcënim ndaj rendit kushtetues dhe nxitjes së urrejtjes fetare, ndërsa u lirua në tetor”.

Njëherësh kjo faqe thekson se ai ka përvetësuar edhe shuma të mëdha parash, derisa si burime të informacionit ceken edhe disa gazeta dhe portale shqiptare.

Duke cituar gazeta, si Suddeutsche dhe Sonntagszeitung, 20min.ch nuk e lë anash edhe deklaratën e hoxhës për nënë Terezën (se “ajo e ka vendin në Ferr, sepse nuk e ka besuar Zotin, as pejgamberin, e as Kuranin”). /Telegrafi/