Telegrafi

Vrasja e Ivanoviqit, Bogdanoviq thotë se atë e vrau Ljubomir Lainoviq ndërsa urdhrin e dha Veselinoviqi

Boban Bogdanoviq, i cili ka vite që merret me sport dhe është mik i kriminelit të vrarë Aleksandar Gligorijeviq, ka thënë se Oliver Ivanoviq u vra nga Ljubomir Lainoviq nga Novi Sadi dhe se vrasja ishte urdhëruar nga biznesmeni kontrovers Zvonko Veselinoviq.

Bogdanoviq ka treguar për Rrjeti i Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit (KRIK) se shoku i tij “ia ka lënë amanet të vërtetën” për vrasjen e politikanit nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

“Data 7 mars 2020 do të mbetet e skalitur në kujtesën time për gjithë jetën. Aleksandar më tha kush janë organizatorët, kush është porositësi dhe kush është vrasësi i Oliver Ivanoviqit”, citohet të ketë thënë Bogdanoviq.

Siç tha ai, Gligorijeviq i zbuloi atij se Oliver Ivanoviq u vra nga Ljubomir Lainoviq.

“Ai e kreu atë vrasje. Njeriu që organizoi ardhjen e tij në Kosovë, që përgatiti logjistikën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është Milan Radoiçiq. Njeriu që urdhëroi vrasjen e Oliverit është Zvonko Veselinoviç. Kështu më tha Aleksandar Gligorijevic Puke”, ka thënë më tej ai.

Gligorijeviq, siç tha ai, i ka treguar se detyra e tij ishte që t’i jepte Lainoviçit 50.000 euro që i kishte marrë nga Belivuk për punën që ka bërë.

Sipas pretendimeve të tij, paratë për vrasjen ia ka dhënë Zvonko Veselinoviq, përmes Belivuk, Aleksandar Gligorijeviqit, i cili ia ka dorëzuar paratë Ljubomir Lainoviqit.

Gligorijevic, bëri të ditur ai, i tha gjithashtu se Lainoviç kreu një tjetër vrasje në Athinë, pas së cilës ai shkoi në Spanjë dhe humbi gjurmët e punës së tij.

Bogdanoviq ka folur për “KRIK” edhe për lidhjet që Gligorijeviq ka pasur me “Partinë Përparimtare Serbe” dhe detaje të tjera nga krimi dhe sporti në Serbi. /Telegrafi/