Shqipëria e nis fushatën kualifikuese për ‘Euro 2024’ me takimin ndaj Polonisë në Varshavë që zhvillohet sonte (e hënë) me fillim në orën 20:45.
Përpara kësaj sfide, mediat polake i kanë kushtuar vëmendje të veçantë trajnerit Sylvinho me theks karriera e tij si futbollist dhe triumfi i dyfishtë në Ligën e Kampionëve me Barcelonën.
“Me Barcelonën Sylvinho fitoi dy herë Ligën e Kampionëve dhe fitoi tri kampionate spanjolle, ai luajti gjashtë herë për kombëtaren braziliane, por është një trajner mesatar në rastin më të mirë”.
“Megjithatë, marrëdhënia mes Sylvinhos dhe Shqipërisë, rivalit të Polonisë të hënën në kualifikueset e Euro 2024, duket e arsyeshme. Shqiptarët duan të rilindin pas një viti 2022 katastrofik për ta. Është e vështirë të parashikosh se si do të jetë ai, por jam i sigurt për dy gjëra: Sylvinho do të marrë kohë dhe kjo marrëveshje është një mundësi e shkëlqyer për të dyja palët”.
“Në përballjen me skuadrën e Sylvinhos polakët do të kenë mundësinë të fshijnë njollën që lanë mbrëmjen e të premtes në Pragë, duke humbur 1-3 ndaj Çekisë. Por, nuk do të jetë një detyrë e lehtë. Së pari, shqiptarët tashmë janë bërë të njohur si një rival i papërshtatshëm. Së dyti, skuadra e Sylvinhos, ashtu si skuadra e Fernando Santos, është një e panjohur” – transmeton SuperSport raportimet në mediat polake.
Sylvinho dëshiron ta bëjë Shqipërinë si Maroku në Kampionatin Botëror
“Çfarë mund të presim sot nga Shqipëria? Sylvinho dëshiron të luajë në sulm. Reja u fokusua kryesisht në mbrojtje dhe kundërsulme. Për një brazilian kjo nuk do të jetë kurrë prioritet”.
“Që në konferencën e parë për shtyp, Sylvinho tha se donte që kombëtarja shqiptare të ishte jo vetëm një ekip i mirëkoordinuar, por edhe një grup kolegësh. Braziliani dëshiron që njëri të luftojë për tjetrin. Si shembull, ai dha kombëtaren marokene, e cila falë unitetit arriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Braziliani kujdeset për unitetin dhe atmosfera në ekip është më e mira në shumë muaj”.
“Megjithatë, debutimi i Sylvinhos nuk do të jetë i lehtë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për ekipin tonë dhe për faktin që do të luajmë me Stadiumin Kombëtar të mbushur plot. Në ndeshjen e tij të parë si trajner, braziliani do të duhet të përballet pa katër lojtarë kyç, për shkak të mungesave të mbrojtësit Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli, mesfushorit Keidi Bare dhe sulmuesit të Chelseat, Armando Broja”, thuhet tutje.