Pas bllokimit që nga 20 shtatori, rrugët kryesore në veriun e Kosovës, që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, u rihapën të shtunën për lëvizjen e makinave.
Arritja e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian u raportua në shumicën e mediave të njohura ndërkombëtare.
Vlen për t’u theksuar se në shumicën e mediave theksi ishte vënë te pengesat që kanë shkaktuar barrikadat e vendosura nga serbët, përcjell Telegrafi.
“Serbët heqin pengesat rrugore në Kosovë ndërsa, NATO lëviz për t’iu dhënë fund tensioneve”, ishte titulli i agjencisë Reuters.
“Kalimi kufitar i Kosovës me Serbinë u rihap të shtunën derisa serbët hoqën kamionët, ndërkohë trupat e NATO-s u zhvendosën në veri në kuadër të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje midis vendeve fqinje për targat e makinave”, raporton tutje Reuters.
Agjencia franceze e lajmeve “Euronews” ka shkruar për zbatimin e marrëveshjes për targat që u arrit në Bruksel.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO mori të shtunën zonën pranë dy vendkalimeve kufitare Kosovë-Serbi pas një marrëveshjeje të arritur nga të dy vendet që synonte uljen e tensioneve të shkaktuar nga një mosmarrëveshje mbi targat e automjeteve”, shkruhet në artikullin e Euronews.
“Çmontohen barrikadat në kufirin Kosovë-Serbi”, shkruan mediumi shtetërorë francez France 24.
“Serbët e Kosovës hoqën të shtunën makinat që kishin pozicionuar për të bllokuar rrugët që dërgon në kufirin me Serbinë, pasi Beogradi dhe Prishtina ranë dakord t’iu japin fund tensioneve”, raporton France 24.
“Kosova dhe Serbia bien dakord për t’iu dhënë fund tensioneve kufitare”, ka shkruar mediumi Al Jazeera.
Zgjidhja e negociuar në Bruksel i jep fund armiqësive të shkaktuara nga mosmarrëveshja rreth targave të makinave, shkruan tutje Al Jazeera.
Serbia, e mbështetur nga aleatët e saj Rusia dhe Kina, nuk e njeh shtetin e Kosovës, por shumica e vendeve perëndimore, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara e kanë njohur atë, raporton mediumi nga Katari.
“Kosova dhe Serbia lirojnë pikat e bllokuara kufitare”, njofton agjencia gjermane e lajmeve Frankfurter Allgemeine Zeitung.
“Serbia dhe Kosova kanë rihapur kalimet e bllokuara kufitare pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes lidhur me targat. Makinat dhe kamionët që kishin bllokuar rrugët për në kufi prej ditësh u larguan”, njofton FAZ.
Kosova dhe Serbia u morën vesh të enjten për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, që pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë, për të vendosur masën e reciprocitetit për përdorimin e targave të makinave.
Sipas marrëveshjes trepikëshe, të shtunën me 2 tetor njëkohësisht u bë largimi i barrikadave dhe i njësive të Policisë Speciale nga vendkalimet kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja do të sigurojnë vendkalimet kufitare për dy javë./Telegrafi/