Telegrafi

Meçi mes Ferguson dhe Nurmagomedov zhvillohet në prill, kjo nënkupton se McGregor do ta humbë titullin në UFC

Promovuesi i famshëm, Dana White, ka konfirmuar se dueli ndërmjet Tony Ferguson dhe Khabib Nurmagomedov do të zhvillohet në muajin prill.

Kjo është hera e katërt që UFC përpiqet t’i fusë në ‘Tetëkëndësh’ dy aplikuesit e arteve të përziera marciale dhe duket se më në fund do të ndodhë në ‘UFC 223’.

(Foto: Getty Images)

Tri herët e para ishin anuluar, por rusit Nurmagomedov tash i është dhënë edhe një rast kundër amerikanit Ferguson.

Gjatë pjesëmarrjes në emisionin Toucher and Rich në një radio, White është pyetur rreth thashethemeve për përballjen e dyshes në ‘UFC 223’, ndërsa përgjigja e tij ishte pohuese.

Lexo po ashtu Presidenti i UFC-së: Shumë problem që McGregor të kthehet në ring

“Ai duel do të ndodhë. Do të ndodhë”, është përgjigjur kreu i UFC-së.

(Foto: Getty Images)

Meçi ndërmjet Fergusonit dhe Nurmagomedov do të zhvillohet për titull, ndërsa kjo nënkupton edhe fundin e Conor McGregor si kampion i peshave të lehta në UFC.

Irlandezi u shpall kampion në nëntor të vitit 2016, mirëpo ai nuk është ndeshur në ‘Tetëkëndësh’ që atëherë, pasi ka ndjekur projekte të tjera jashtë UFC-së.

White më herët ka thënë se McGregor ka planifikuar kthimin, ndërsa e ka bërë të qartë se UFC-ja do të detyrohet t’ia heqë titullin për shkak të mosmbrojtjes së tij.

(Foto: Getty Images)

Ferguson e ka thënë disa herë se Conor duhet ta mbrojë ose të heqë dorë nga titulli, derisa Nurmagomedov ka deklaruar se mund të ndeshej edhe me Ferguson edhe me McGregor të njëjtën ditë.

Amerikani ka regjistruar dhjetë fitore radhazi në UFC, kurse rusi shpreson ta lë pas vetes periudhën e vështirë me lëndime dhe ta vazhdojë rekordin e tij, i cili aktualisht është 26-0.

Sa i përket McGregor, kur të vendosë të kthehet në duelet e MMA, do të duhet ta rifitojë titullin e tij në kategorinë e peshave të lehta. /Telegrafi/