Presidenti i UFC-së, Dana White, ka bërë të ditur se Conor McGregor do të qëndrojë 10 muaj në pushim, çka do të thotë se ai do të kthehet në ‘tetëkëndësh’ për të mbrojtur titullin kampion në shtator të vitit 2017.
Këtë vendim, irlandezi e ka marrë së fundmi, duke qenë se deri në maj do t’i qëndrojë pranë të fejuarës së tij, e cila është shtatzënë.
Për më tepër, McGregor do t’i merret titulli kampion bote i peshës ‘pupël’ (pesha shumë të lehta), të cilin e ka fituar në dhjetor të vitit 2015, transmeton Telesport. Kështu që ai do ta mbajë vetëm titullin kampion të peshës së lehtë, të cilën e fitoi më 12 nëntor, kur mundi në New York rivalin Eddie Alvarez.
“Titulli kampion bote i peshës ‘pupël’ ka gati një vit që nuk është mbrojtur, ndërkohë që ai ka kërkuar edhe 10 muaj të tjerë pushim. Unë e lashë që të qëndrojë në pushim, duke qenë se hoqi dorë nga titulli i peshës pupël, ndërkohë që ka shumë djem që e duan atë titull. Conor mund të rikthehet në shtator për të mbrojtur titullin e peshës së lehtë”, ka deklaruar Dana White.
“Ai nuk do që të ketë probleme me të fejuarën, e cila është shtatzënë. E meriton këtë pushim, pasi prej disa vitesh duelon pa ndaluar”, ka shtuar më tej.