Telegrafi

McGregor thyen heshtjen pas arrestimit në Miami: Po përpiqem të kem më shumë durim

Conor McGregor (Foto: Ethan Miller/Getty Images/Guliver)

Conor McGregor është liruar nga burgu pas arrestimit në Miami, ndërsa e ka thyer heshtjen përmes një publikimi në rrjetet sociale.

Ish-kampioni i UFC-së ishte arrestuar të hënën mbrëma për shkak se ia theu telefonin një fansi, i cili ishte përpjekur ta fotografonte.

Ngjarja ka ndodhur jashtë një hoteli në Miami, ndërsa pasi e kishte thyer telefonin, irlandezi e kishte marrë me vete.

Lexo po ashtu Conor McGregor arrestohet në Miami, pasi ia theu dhe ia mori telefonin një fansi

Për këtë arsye, ai është arrestuar dhe është dashur të paguajë garanci në mënyrë që të mbrohej në liri. Pas daljes nga burgu, 30-vjeçari nuk ka thënë asnjë fjalë për gazetarët, ndërsa më vonë i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të komunikuar me fansat e tij.

“Durimi në këtë botë është një virtyt, të cilin po vazhdoj ta përmirësoj. I dua me zemër fansat e mi. Faleminderit të gjithëve”, ka shkruar McGregor në Instagram, ndërsa postimin e ka shoqëruar me një fotografi të tij. /Telegrafi/