Telegrafi

McGregor pritet ta nënshkruajë marrëveshjen për duelin me Mayweatherin brenda 24 orësh

Presidenti i UFC-së, Dana White, pret që ta arrijë marrëveshje me Conor McGregor brenda ditës për meçin e shumëpritur ndërmjet kampionit të UFC-së dhe boksierit të pamposhtur, Floyd Mayweather.

“Jemi duke arritur marrëveshje me Conor. Si mendoni se do të jetë pala e Mayweather? Sa kohë mendoni se do të më duhet që të shpenzoj për këtë çështje?”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Më tej, ai ka thënë se nuk do të humbë kohë nëse Mayweather dhe ekipi i tij përpiqen t’i prishin bisedimet.

Lexo po ashtu Mike Tyson jep parashikimin e tij për duelin ndërmjet McGregor dhe Mayweather

White ka thënë se McGregor është i vendosur që gjatë këtij viti të zhvillojë dy meçe dhe njëri prej tyre është ndaj Mayweatherit.

Nëse ndodh, dueli mes McGregor dhe Mayweather do të zhvillohet me rregullat e boksit, ndërsa shumëkush beson se në këtë rast boksieri amerikan do të jetë favorit absolut ndaj irlandezit, i cili praktikon artet e përziera marciale (MMA).

Përfitimet financiare të këtij meçi pritet të jenë ndërmjet 100 dhe 500 milionë dollarë. /Telegrafi/