Conor McGregor e ka dërguar në një nivel tjetër rivalitetin e tij me Khabib Nurmagomedov të mërkurën, duke e ngacmuar yllin nga Dagestani për gruan e tij, mirëpo postimi i irlandezit në Twitter është fshirë për shkak të reagimeve për racizëm dhe islamofobi.
Rivaliteti ndërmjet yjeve të UFC-së vazhdimisht është shoqëruar edhe me ofendime në aspektin personal dhe fetar, ndërsa McGregor në të kaluarën e ka quajtur edhe “terrorist” Khabibin.
Për ta vazhduar armiqësinë, irlandezi 30 vjeçar e ka publikuar një postim në Twitter duke shkruar: “Gruaja jote është një peshqir”, që i referohej mbulesës së gruas së Khabibit pikërisht në ditën e martesës me yllin e MMA-së.
Kujtojmë që Nurmagomedov e mposhti Conorin në duelin e tyre në ‘Tetëkëndësh’ që pastaj u shoqërua me një përleshje të madhe ndërmjet dy ekipeve. Ndërsa në të kaluarën, McGregor e kishte sulmuar autobusin ku ndodhej Khabib.
Edhe pse në javën e kaluar deklaroi se është pensionuar nga UFC-ja, ‘The Notorious’ nuk po heq dorë nga rivaliteti me kampionin e Ultimate Fighting Championship. /Telegrafi/