Gjykata e Korçës caktoi sot masën e sigurisë “arrest në burg” për autorin e vrasjes së Dashnor Osmanit, në 28 janar 2020.
“Shqiptarja.com” zbardh pjesën e dytë të dëshmisë së Zamir Topit, njeriut që masakroi me sëpatë shitësin e bananeve.
Dashnor Osmani, ishte me origjinë nga Skrapari, por kohët e fundit banonte në fshatin Pocestë të Libonikut. Autori i krimit nuk arrinte të pranonte faktin që një person i ardhur nga Skrapari, t’i zinte pjesën e familjarëve të tij, në varrezat e fshatit Pocestë të Libonikut. Kjo pasi para disa vitesh, Dashnor Osmani, kishte varrosur babain e tij afër varrit të nënës së autorit të dyshuar të krimit Zamir Topi.
Nisur nga kjo situatë, Zamir Topi, i ka kërkuar Osmanit që ta heqë varrin e babai nga ajo sipërfaqe, duke pretenduar se ajo pjesë e varrezave është e fisit të tij. Ndërsa Dashnor Osmani, i ardhur nga Skrapari me banim në Pocestë, i ka pohuar se do të hiqte eshtrat e babait të tij nga ajo pjesë toke, por pasi të mbushej një vit kohë nga dita e vdekjes. Më pas në një takim tjetër mes Topit dhe Osmanit, ky i fundit i ka thënë kur të mbushte 3 vjet dhe më vonë në një takim tjetër i ka thënë 5 vjet. Në takimin e fundit, sipas dëshmisë së Zamir Topit, Dashnor Osmani, i ka pohuar se do e hiqte babanë nga varrezat, atëherë kur të vdiste vetë ai, pra vetë Dashnor Osmani.
Pas kësaj Zamiri i ka pohuar Dashnorit që mos i dalë më përpara. “…Në 28 janar 2020 rreth orës 14:00 unë e kam parë Dashnorin, duke shitur banane në Korçë dhe ai më ka dalë përpara si i fortë, duke më prerë rrugën, por pa më folur asnjë fjalë…”-tregon Zamir Topi.
Pas këtij karshilliku nga ana e Dashnor Osmanit, Zamir Topi, ka shkuar në një dyqan aty afër, ku tregtoheshin vegla pune dhe ka kërkuar të blejë një sëpatë.
Shitësi i dyqanit, i ka thënë që sëpatat kanë një vlerë prej 6 mijë lekë të vjetra, ndërkohë siç ka treguar në polici vetë Zamiri, ai me vete kishte pasur 4 mijë lekë të vjetra. Për të plotësuar sasinë e lekëve prej 6 mijë lekë të vjetra, Zamir Topi, rezulton që të ketë shkuar në një berber në Korçë, ku ai qethet gjithmonë dhe i ka kërkuar në formën e borxhit, 2 mijë lekë të vjetra, por pa i thënë se përse i duheshin këto lekë. Pasi ka marrë lekët, ka shkuar në ambientet e dyqanit ku ka blerë sëpatën me vlerën prej 6 mijë lekë të vjetra dhe me sëpatë në dorë, është afruar pranë vendit ku shiste banane Dashnor Osmani.
Rezulton se Zamir Topi, i është afruar dhe pa paralajmërim e ka qëlluar disa herë në kokë me sëpatë Osmanin, duke e lënë të vdekur në vend dhe të mbuluar nga një pirg i madh gjaku. Zamir Topi është përpjekur të largohet me vrap, por është kapur shumë shpejt nga një patrullë policie në qytetin e Korçës, duke arritur ta neotralizojnë, megjithëse në dorë mbante sëpatën e krimit.
Policia i ka sekuestruar si provë materiale sëpatën me të cilën, Zamiri, vrau Dashnor Osmanin.