Që nga fillimi i krizës së refugjatëve, ku si pasojë refugjatët e vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore u nisën drejt vendeve evropiane për një të ardhme më të mirë, Republika e Maqedonisë, si një nga vendet e “Rrugës Ballkanike”, ishte pikë e paevitueshme e rrugës së tyre të gjatë dhe rraskapitëse.
Gjatë vitit të kaluar rreth një milion refugjatë kaluan Republikën e Maqedonisë. Që kur vendet e Evropës Perëndimore vendosën që të mbyllin kufijtë e tyre për refugjatë, të njëjtën gjë e bënë edhe vendet e tjera ballkanike, përfshirë këtu edhe Maqedoninë.
“Duke filluar nga 8 marsi i vitit 2016, që kur vendet anëtare të BE-së e mbyllën ‘Rrugën e Ballkanike’, e deri më 12 maj të vitit 2016, gjithsej janë zbuluar 11.803 migrantë, të gjithë në hyrje në Republikën e Maqedonisë gjatë tentativës për kalimin ilegal të kufirit maqedonas-grek, dhe të njëjtit janë kthyer në Republikën e Greqisë. Çdo tentim për hyrje ilegale në Republikën e Maqedonisë është parandaluar nga nëpunësit e ushtrisë dhe policisë së bashku me nëpunësit e huaj policorë të stacionuar përgjatë vijës kufitare”, konfirmoi për Anadolu Agency (AA) Natalia Spirova Kordiq, kryeshefe e Sektorit për marrëdhënie me publikun dhe protokollin në Departamentin për marrëdhënie me opinionin dhe çështjet strategjike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
– Trafikimi i migrantëve, alternativë për vazhdimin e rrugës drejt Evropës
Spirova-Kordiq, mes tjerash, informon se në periudhën prej 1 janarit deri më 11 maj të vitit 2016, janë zbuluar gjithsej 19 vepra penale “trafikim të migrantëve”, ndërsa kundër 23 personave janë ngritur kallëzime penale, të cilët tentuan që të trafikojnë gjithsej 319 migrantë. Spirova Kordiq duke sqaruar për procedurën pas kapjes së tyre në territorin e Republikës së Maqedonisë thekson se migrantët e kapur në këto situata transportohen në Qendrën e pranimit në Gazi Babë dhe veprohet sipas procedura të rregullta gjyqësore.
Muajin e kaluar, sipas të dhënave statistikore të arritshme për opinionin, mbeti e paqartë se çfarë ka ndodhur me më shumë se 400 refugjatë të cilët u evidentuan se kanë hyrë në vend, por megjithatë askund nuk figurojnë. Sipas burimeve lokale, ekzistojnë pretendime se refugjatët përmes mënyrave ilegale me ndihmë të trafikantëve kanë arritur që ta kalojnë kufirin verior të Maqedonisë dhe të mbërrijnë deri në Serbi, për çka trafikantëve u paguanin rreth 1.500 euro për person.
– Gjendja e tanishme e numrit të refugjatëve sipas të dhënave të marra nga MPB-ja
Në Republikën e Maqedonisë ka 493 refugjatë, prej të cilëve 392 janë në qendrën transitore për refugjatë në vendkalimin kufitar verior të Maqedonisë, Tabanoc, ndërsa 101 persona gjenden në qendrën pranuese – transitore Vinojug në Gjevgjeli. Si pjesë e masave për kontrollimin e krizës së refugjatëve të cilat i dakorduan disa nga vendet evropiane, në Maqedoni në vendkalimet kufitare janë të pranishëm 99 nëpunës të huaj policorë prej të cilëve: 8 janë nga Kroacia, 8 nga Sllovenia, 7 nga Serbia, 25 nga Sllovakia, 30 nga Polonia dhe 21 nëpunës policorë nga Austria.
– Apel nga UNHCR-ja dhe organizatat joqeveritare humanitare-
“Mbyllja e kufijve do të nxis migracion ilegal. Kur refugjatët apo migrantët kapen në territorin e një shteti të caktuar ku në mënyrë ilegale kanë hyrë, edhe atëherë duhet të respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe konventat ndërkombëtare të cilat shtetet i kanë nënshkruar lidhur me këtë çështje”, theksoi për AA Lubinka Brashnarkska, zëdhënëse e UNHCR-Maqedoni.
“Gjatë trajtimit në tërësi të refugjatëve nevojitet respektimi i të drejtave të tyre, sigurisht, ne angazhohemi edhe për forcimin e sistemeve për azil me çka do të bëhej qasje më e mirë deri te sistemi për azil ndaj atyre që kjo u nevojitet”, deklaroi Brashnarska.
UNHCR-ja dhe organizatat joqeveritare të cilat në mënyrë aktive punojnë për krizën e refugjatëve disa herë apeluan se mbyllja e kufijve do ta kthejë gjendjen e refugjatëve siç ishte para më shumë se një viti, kur në Maqedoni nuk ishte i ndryshuar Ligji për azil, e refugjatët nuk kishin të drejtë të shfrytëzojnë transportin publik për shkak të cilës tentuan që të gjejnë mënyra të ndryshme që të kalojnë nëpër territorin e Maqedonisë prej ku niseshin drejt vendeve të Evropës Perëndimore. /Telegrafi/