Mbrojtja e shtatë të dyshuarve për 400 kg kokainë i vlerëson të pabaza provat e Prokurorisë
Ka përfunduar seanca për shqyrtimin e kërkesës së prokurorit për caktimin e masës së sigurisë për shtatë të arrestuar për rastin e sekuestrimit të 400 kg kokainë.
Besnik Berisha, avokat i të akuzuarit Izet Sheqiri, tha se Prokuroria ka paraqitur prova të pabaza të cilat mbrojtja i ka hedhur poshtë.
Shtatë personat e arrestuar që po dyshohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” si dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Kërkesa për caktim të paraburgimit është bërë nga Prokuroria Speciale për Izet Sheqirin, Kadri Sheqirin, Kadri Ibrahimin, Fehmi Bytyqin, Faton Vrajollin, Enver Belegun dhe Bajram Maliqin. /KP/Telegrafi/