Amir Rrahmani ka shkëlqyer në vitin e tij debutues në Serie A.
Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës iu bashkua Hellas Veronës nga Dinamo Zagreb dhe ka bërë paraqitje fantastike.
Ndeshjet e mira bënë që Rrahmani të kompletoj në janar transferimin te Napoli, edhe pse ka mbetur i huazuar te Verona deri në verë.
Rrahmani do t’i bashkohet Napolit nga muaji korrik, derisa do ta lë një boshllëk të madh në mbrojtjen e verdhekaltërve.
Megjithatë Verona duket se do ta zëvendësojë kosovarin me një tjetër mbrojtës nga Kosova.
Trajneri kroat i Veronës, Ivan Juric ka kthyer sytë nga vendlindja e tij për të gjetur zëvendësuesin e Rrahmanit.
Juric e pëlqen shumë mbrojtësin prishtinas Ardian Ismajli i cili ka shkëlqyer me Hajduk Splitin në dy vitet e fundit.
Reprezentuesi shqiptar shihet si pasardhësi i Rrahmanit në Verona me trajnerin Juric që ka shprehur interesim për të.
Mediumi kroat Sportklub.hr ka raportuar se deri më tani nuk ka ofertë zyrtare, mirëpo Verona ka treguar interesim për mbrojtësin dhe shihet si një mundësi e mirë transferimi i tij në Serie A.
Gjithsesi interesim për reprezentuesin shqiptar kanë shprehur edhe dy skuadrat tjera italiane Bologna dhe Atalanta.
Vlera e Ismajlit në tregun e transferimeve sillet rreth katër milionë euro. /Telegrafi/