Site icon Telegrafi

Mblidhen në Paris liderët e 80 vendeve për të diskutuar rreth Gazës, nuk ftohet Izraeli

Afërsisht 80 vende dhe organizata ndërkombëtare po takohen sot në Paris, për të koordinuar dërgimin e ndihmave dhe për të vlerësuar se si do të ndihmohen të plagosurit në enklavën palestineze të Gazës, por nëse nuk ka ndërprerje të luftimeve, nuk priten rezultate konkrete.

Franca i ofroi mbështetje Izraelit pas një sulmi vdekjeprurës nga grupi islamik palestinez Hamas më 7 tetor, por bombardimet hakmarrëse të Izraelit kanë ngjallur shqetësim për një rritje të viktimave civile. Mijëra njerëz në Gaza janë vrarë, plagosur ose zhvendosur, transmeton Telegrafi.

“Nuk është sekret që sot në Gaza, është vështirësuar qasja në nevojat themelore, ilaçet, ujin e kështu me radhë. Prandaj, qëllimi është në të vërtetë të punohet me të gjithë pjesëmarrësit, dhe gjithashtu me Izraelin për të siguruar qasje më të mirë”, tha një bashkëpunëtor i presidentit francez për gazetarët përpara konferencës për shtyp.

I pranishëm do të jetë kryeministri palestinez Mohamad Shtayeh, por Izraeli nuk është ftuar. Zyrtarët francezë thanë se po mbanin Tel Aviv të informuar për zhvillimet.

Lexo po ashtu SHBA hedh poshtë planin e Netanyahut për Gazën

Konferenca mbledh së bashku aktorë rajonalë si Egjipti, Jordania dhe shtetet arabe të Gjirit, si dhe vendet perëndimore dhe anëtarët e grupit G20, me përjashtim të Rusisë.

Institucionet ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare që veprojnë në Gaza, si Mjekët pa Kufij, do të marrin pjesë gjithashtu në këtë aktivitet.

Megjithatë, do të vijnë vetëm disa kryetarë shtetesh apo ministra, e organizatat joqeveritare ankohen për presionin e pamjaftueshëm që mund të ushtrojë konferenca për të arritur një armëpushim.

“Do të jetë një ushtrim për të përsëritur qëndrimet kombëtare, duke deklaruar se çfarë ka dhënë dhe çfarë do të japë secili vend, se civilët duhet të mbrohen dhe të respektohet ligji ndërkombëtar humanitar”, tha një diplomat evropian.

Zyrtarët francezë shpresojnë se konferenca do të shërbejë si bazë për një reagim të shpejtë nga komuniteti ndërkombëtar sapo të ndalojnë luftimet.

Lexo po ashtu Kush është Yahya Sinwar, 'orkestruesi kryesor i sulmit të 7 tetorit' dhe njeriu më i kërkuar nga Izraeli?

Rivendosja e furnizimit me ujë, karburant dhe energji elektrike do të diskutohet dhe do të sigurohet që ndihma të mos përfundojë në duart e Hamasit.

Gjithashtu do të diskutohet krijimi i një korridori detar për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza nga deti, dhe mënyrat se si mund të përdoren anijet për evakuimin e të plagosurve.

Megjithatë, pa vullnetin e Izraelit apo Hamasit për të pushuar luftimet, ka pak perspektivë për përparim të shpejtë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version