Telegrafi

Mbi pesëmijë investitorë të huaj në Kosovë: Ja kush janë më të mëdhenjtë

Janë mbi 5000 investitorë të huaj që investuan në Kosovë që nga viti 2003 e deri më tani. Nga shtetet me numër më të madh të kompanive që ushtrojnë veprimtarinë këtu është Shqipëria (731), e pasuar nga Turqia (601), Maqedonia (540), Kina (407), Gjermania (389) etj. Veprimtaria e tyre shtrihet kryesisht në sektorët e tregtisë, atë financiar, të hotelerisë dhe turizmit, ndërtimit etj.

Sipas njohësve të ekonomisë, Qeveria duhet të krijojë kushte më të mira për të bërë biznes që ky numër i bizneseve të huaja të rritet me investitorë më të mëdhenj dhe më seriozë.

Këshilltarja e ministres së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë(MTI), Vjollca Dibra, thotë se bazuar në të dhënat zyrtare, biznese të huaja të regjistruara gjatë periudhës 2003-2015 janë 5195. Sipas saj, të gjitha këto kompani janë në sektorë të ndryshëm dhe të regjistruara me pronarë të huaj.

Ajo ka treguar se prej investitorëve më të mëdhenj janë “Ipko”, “Raifessien bank” e “Interex” të cilat janë firma me bashkëpronar të huaj.

Kurse, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare (OEGJK), Albert Matoshi, thotë se roli i shtetit gjerman ka qenë vital në disa sektorë shumë të rëndësishëm të ekonomisë kosovare, sidomos në sektorin energjetik, në sektorin e ujërave, në sektorin rrugor etj. Matoshi thotë se këta tre sektorë janë shumë të rëndësishëm në mënyrë që të kalohet në një fazë të zhvillimit të mëtutjeshëm.

Ai thotë se investitorët dëshirojnë një klimë shumë më të favorshëm dhe një terren shumë më të përshtatshme të të bërit biznes.

Ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, thotë se numri i bizneseve në Kosovë dhe Shqipëri në numër duket të jetë shumë, por një pjesë e tyre janë jofunksionale. Mendohet se janë rreth 380 biznese nga Kosova në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Kosovë rreth 500.

Numri i të punësuarve në këto kompani të huaja mbetet konfidencial nga Administrata Tatimore e Kosovës. /KP/