Site icon Telegrafi

Mbi 90 mijë fletëvotime të pavlefshme, 70 mijë prej tyre janë për kuvende komunale

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale edhe për kuvende komunale.

Hulumtuesi i KDI-së Eugen Cakolli ka vënë në pah numrin e lartë të votave të pavlefshme.

Sipas tij pjesa më problematike mbetet vota e pavlefshme për Kuvende Komunale.

“Edhe në këto zgjedhje ka vijuar trendi jashtëzakonisht i lartë e negativ i votave të pavlefshme. Në bazë të rezultateve të deritanishme të KQZ-së, kemi gjithsej 90,289 fletëvotime të pavlefshme dhe të zbrazëta në nivel vendi. Prej tyre, PLOT 70 MIJË (mesatarja në nivel vendi 8.56%) janë vetëm për kuvendet komunale – që paraqet edhe pjesën më problematike”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Ai ka treguar edhe komunat me përqindjen më të madhe të votave të pavlefshme.

“Komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme janë Ranillugu (18.75%), Graçanica (15.70%), Drenasi (11.48%), Parteshi (11.36%), Mitrovica e Jugut (10.48%) dhe Obiliqi (10.43%)”.

Lexo po ashtu Lista e 38 kandidatëve për asamble komunale që nuk e votuan as veten

“Në anën tjetër, komunat me përqindjen më të vogël janë Leposaviqi (2.72%), Zveçani (2.82%) dhe Mamusha (4.08%)”.

Cakolli thotë se situata me votat e pavlefshme është e papranueshme, derisa sipas tij duhet ndryshuar dizajni i fletëvotimeve apo informim më i mirë i votuesve për të mos e bërë votën të pavlefshme.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe duhet të adresohet menjëherë, duke punuar në ndryshimin e dizajnit të fletëvotimeve, rikonceptimin e kampanjave për informim të votuesve lidhur me mënyrën e votimit, por gjithsesi duke mos anashkaluar edhe rishikimin e sistemit të votimit në zgjedhjet lokale në tërësi”, shënoi tutje Cakolli./Telegrafi/

Exit mobile version