Site icon Telegrafi

Mbi 20 gazetarë u sulmuan në veri, flet kryetari i AGK-së

Mbi 20 është numri i gazetarëve që janë sulmuar sot gjatë raportimit të tyre derisa situata ishte e tensionuar në veri të vendit.

Sipas informacioneve që ka Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, asnjëri nga ta nuk ka pësuar lëndime, por presioni që u është bërë është i papranueshëm.

Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve, ndërkaq AGK-ja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme për të kërkuar siguri për gazetarët, kameramanët e fotoreporterët që ishin në atë pjesë.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se komunikimi me gazetarët në veri sot ka qenë i vazhdueshëm.

“Gjatë gjithë ditës kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me gazetarët e televizioneve e medieve edhe atyre lokale në Mitrovicë, që kanë qenë pjesë e raportimit npër ngjarjet në Mitrovicë të Veriut, Zveçan e Leposaviq. Mbi 20 gazetarë së paku kanë qenë pre e sulmeve të protestuesve lokal derisa kanë qenë duke raportuar në Lagjen e Bonjakëve pas vendosje së barrikadave nga serbët lokal. Ata janë sulmuar me mjete të ndryshme nga ana e serbëve”, theksoi Rexha në prononcim për Telegrafin.

Rexha njoftoi se askush nga gazetarët nuk ka pasur asnjë lëndim fizik, por siç tha ai presioni që është bërë ndaj tyre është i papranueshëm.

Kamera e dëmtuar e ekipit të REL-it

“Siç e keni parë, raportimi i televizionit Kanal 10 është ndërprerë kur është gjuajtur një mjet shpërthyes, një ekip i Radio Evropa e Lirë është rrethuar nga së paku 50 serbë në Leposaviq, i është dëmtuar kamera si dhe vetura me të cilën kanë qenë duke udhëtuar, por fatmirësisht ekipi gazetar e kameramanë kanë arritur të largohen nga aty të sigurt”, bëri të ditur kryetari i AGK-së.

Lexo po ashtu Momenti kur një mjet shpërthen në afërsi të gazetares që ishte në transmetim live në veri

Ai po ashtu, theksoi se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ka kërkuar nga ata të ofrojnë siguri për gazetarët.

Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha

“Policia e Kosovës na ka thënë që ka prezencë të shtuar të Policëve civil që janë përkujdesur për sigurinë e gazetarëve, në mënyrë që të mos nxisin më shumë reagime të serbëve lokal që i kanë vendosur barrikadat”, u shpreh ai.

Ndërkaq, sipas Rexhës, inkurajues ka qenë reagimi i menjëhershëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve.

“Ajo që është inkurajuese është reagimi i menjëhershëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve të cilët i kanë dhënë mbështetje të plotë AGK-së dhe gazetarëve të Kosovës pas sulmeve dhe kanë bërë thirrje autoriteteve që tu garantojnë një ambient të sigurt gazetarëve që të raportojnë”, tha ai për Telegrafin.

Situata në atë pjesë tashmë është e qetë, ndërkaq sipas informacioneve që ka AGK-ja, nuk ka më asnjë rrezik për gazetarët që të raportojnë nga ajo pjesë, pasi edhe barrikada e fundit është larguar nga aty.

Lexo po ashtu Granata dore, bombola gazi e armë zjarri përdorën serbët në veri kundër policisë, doganës e gazetarëve

Ndryshe,  Grupe kriminale në mënyrë të organizuar duke përdorur armë zjarri e mjete të rrezikshme sot në veri të Kosovës kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës e Doganës, e madje edhe gazetarët me qëllim që t’i pengojnë në kryerjen e detyrës së tyre.

Sulmet janë përcjellë me gjuajtje të drejtpërdrejta me armë, hedhje të bombolave të gazit e të granatave.

Këto detaje u bënë të ditura  gjatë konferencës për medie nga Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

“Theksoj se janë përdorur granata dore luftarake”, tha Mehmeti.

Ai u shpreh se “grupe kriminale në mënyrë të organizuar kanë bllokuara rrugën, kanë hudhur bombola gazi, kanë përdorur mjetet transportuese, kanë shtënë me armë zjarri, kanë hedhur shok-bomba, granata të dorës, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganor e policor që ishin në kryerje të detyrës”. /Telegrafi/

Exit mobile version