Telegrafi

Mbi 11 milionë njerëz kanë kaluar kufirin Poloni-Ukrainë

Më shumë se 11 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur në Poloni që nga pushtimi i Rusisë në muajin shkurt të vitit 2022, njoftoi të martën përfaqësia e Polonisë në Bashkimin Evropian.

Rreth 87 për qind e atyre që kalojnë kufirin janë gra dhe fëmijë, raporton cnn.

Në fillim të muajit prill, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) raportoi se pak më shumë se 10.6 milionë njerëz kishin kaluar kufirin.

Kjo do të thotë se rreth 400 mijë njerëz kanë udhëtuar nga Ukraina në Poloni gjatë javës së fundit.

Aktualisht ka më shumë se 1.5 milion refugjatë ukrainas që jetojnë në Poloni dhe më shumë se 3.5 milionë refugjatë ukrainas të vendosur në vende të tjera evropiane, raporton UNHCR.

“Të gjithë ata që ikin nga lufta do të gjejnë strehim dhe të gjithë ndihmën që u nevojitet në Poloni”, shtoi përfaqësia e Polonisë në BE. /Telegrafi/