Një eksplorues urban ka hasur në një qytet të vogël ‘fantazmë’ që është lënë të kalbet në zonat rurale të Kanadasë – është vendi i shtëpive të harruara, një shkolle dhe madje edhe një kishe.
Ish qyteti Insinger në Saskatchewan, tani është vetëm një koleksion ndërtesash të braktisura që dikur ishin qendra e një komuniteti të vogël ukrainas, ku jetonin qindra njerëz, transmeton Telegrafi.
U themelua në vitin 1898 dhe pothuajse 100 vjet më vonë në 1981, vendbanimi kishte ende një popullsi prej 805 banorësh – ky numër u zvogëlua në vetëm 315 banorë deri në vitin 2016 dhe tani, është një guaskë e zbrazur e një fshati, pa njeri.
Fotografi Dave nga Ontario, i cili njihet në internet si Freaktography, hasi në komunitetin rural dhe u trondit nga ajo që gjeti – duke ndarë pamjet me 88,500 abonentët e tij në YouTube.
“Kishte një sërë ndërtesash të braktisura të shpërndara përreth. Kishte një kishë ukrainase që ishte shumë e vogël, por edhe mbishkrime, pa dritare por që ishte shumë e bukur.
Shumë ndërtesa, shtëpi dhe një zyrë postare të vogël. Aty ishte edhe një shkollë që nuk ishte në gjendje të mirë – ishte e ndarë në copa”, tha Dave.
I themeluar fillimisht si qyteti i Lawrie në 1898, vendbanimi rural më vonë ndryshoi emrin e tij në Insinger në 1907.
Lulëzoi një komunitet i vogël, ku shumica e banorëve kishin origjinë ukrainase.
Qyteti tani ‘fantazmë’ ndodhet pak metra larg autostradës Saskatchewan 16, Yellowhead në juglindje të Saskatchewan.
Rënia e popullsisë, e shkaktuar nga një zhvendosje ekonomike, si dhe një përmirësim i transportit drejt zonave më të mëdha, bëri që popullsia e saj të zvogëlohej ngadalë.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në vitin 2016, zbuloi se kishte vetëm 315 banorë, pra vërehej qartë zvogëlimi pasi në vitin 1981 ishin regjistruar 805 banorë.
Tani, është plotësisht i braktisur, me vetëm eksploruesit dhe fotografët kuriozë si Dave që ndalojnë për të ‘kapur një paraqitje të shkurtër’ të së kaluarës së saj.
Nuk është i vetmi qytet në zonë që pati këtë fat – në të gjithë Saskatchewan, ka 140 qytete ‘fantazmë’, shumë prej të cilëve u braktisën gjatë shekullit të 20-të.
Në videon e Insinger, Dave filloi duke filmuar kishën dhe duke lëvizur kamerën e tij në të gjithë qytetin e mëparshëm, për të treguar se nuk kishte asnjë shpirt në horizont – vetëm fusha boshe.
Ndonëse kisha dukej sikur ishte në gjendje të mirë nga jashtë, nga brenda ishte më keq, me mbeturina të shpërndara përreth.
Disa nga pllakat e tavanit kishin rënë, si dhe tepihu ishte gjysmë i grisur nga dyshemeja. Megjithëse ikonat fetare si kryqet e arta dhe veprat e artit, si dhe tavani me pllaka të kaltra, mbetën të ngrira në kohë.
Eksploruesi gjeti një shkollë të vjetër që ishte në gjendje të rrezikshme, pasi ishte lënë të kalbet gjatë viteve.
Dhomat që dikur ishin klasa plot me fëmijë, tani janë plot me drurë që shemben dhe një dysheme e mbushur me mbeturina.
Kishte shtëpi të braktisura që konsideroheshin të rrezikshme për të hyrë, si dhe një zyrë postare.
Një ndërtesë, me shenjën ‘Insinger water works’, dukej se mbeti kryesisht e paprekur që kur personi i fundit kishte dalë nga dera.
Pasi qyteti i harruar u shpërnda në YouTube, shikuesit nxituan për të komentuar.
Një përdorues shkroi: “Saskatchewan ka kishat më të bukura të braktisura”.
Një i dytë shtoi: “Kjo është shumë e trishtueshme. Pyes veten pse është një qytet fantazmë. Shkolla është e rrezikshme”. /Telegrafi/