Site icon Telegrafi

Mbi 100 të arrestuar në Gjeorgji ndërsa protestat kundër vendimit të qeverisë pro-ruse vazhdojnë

Mijëra njerëz kanë protestuar kundër vendimit të qeverisë gjeorgjiane për të pezulluar negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Protestuesit përsëri mbushën parlamentin në kryeqytetin Tbilisi, me disa që u përpoqën të thyenin portat metalike të ndërtesës, duke detyruar policinë të përdorë topa uji për t’i larguar.

Disa nga protestuesit përdorën kosha plehrash dhe stola në përpjekje për të ndërtuar barrikada, ndërsa policia hodhi gaz lotsjellës dhe sprej ndaj tyre.

Kjo shkaktoi një përgjigje të zemëruar nga presidentja pro-BE e vendit Salome Zourabichvilli, e cila ka qenë prej kohësh në kundërshtim me partinë pro-ruse Georgian Dream.

“Edhe një herë, ne jemi dëshmitarë të sulmeve brutale dhe joproporcionale ndaj popullit dhe medias gjeorgjiane, që të kujtojnë represionin e stilit rus”, tha Zourabichvilli.

“Këto veprime nuk do të falen! Ata që janë përgjegjës për përdorimin e forcës duhet të mbajnë përgjegjësi”, shtoi ajo.

Bëhet e ditur se Zourabichvili iu bashkua protestuesve të enjten në mbrëmje pasi akuzoi qeverinë se i shpalli “luftë” popullit të saj, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Përleshjet mes policisë dhe protestuesve shpërthyen gjithashtu të premten vonë në mbrëmje në qytetin port të Detit të Zi, Batumi.

“Ne nuk po luftojmë vetëm kundër Georgian Dream; ne po luftojmë kundër Rusisë, ne po luftojmë kundër ndikimit rus në këtë vend. Një sasi e madhe burimesh, parash dhe gjithçkaje tani po miratohet. Kjo është arsyeja pse unë kërkoj nga të gjithë liderët e botës demokratike të mbështesin popullin gjeorgjian”, tha Giorgi Vashadze, kreu i Koalicionit të Lëvizjes Kombëtare.

Fitore e diskutueshme e zgjedhjeve

Fitorja e diskutueshme e Georgian Dream në zgjedhjet parlamentare të 26 tetorit, e cila u pa gjerësisht si një referendum për aspiratat e vendit për t’u bashkuar me BE-në, ndezi demonstrata masive dhe çoi në një bojkot të parlamentit nga opozita.

Opozita tha se votimi u manipulua nën ndikimin e Rusisë.

Njoftimi i qeverisë se po pezullonte negociatat për t’u bashkuar me BE-në erdhi disa orë pasi Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që dënonte votimin e muajit të kaluar si as të lirë as të drejtë.

Vëzhguesit evropianë të zgjedhjeve thanë se votimi i tetorit u zhvillua në një atmosferë përçarëse të shënuar nga raste të ryshfetit, votimit të dyfishtë dhe dhunës fizike.

Siç raportohet, BE i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit në dhjetor 2023 me kusht që ajo të përmbushte rekomandimet e bllokut, por e vendosi pranimin e saj në pritje dhe ndërpreu mbështetjen financiare në fillim të këtij viti pas miratimit të një ligji për “influencën e huaj” që shihet gjerësisht si një goditje ndaj lirive demokratike.

Ligjvënësit e BE kërkuan një përsëritje të votimit parlamentar brenda një viti nën mbikëqyrjen e plotë ndërkombëtare dhe nga një administratë e pavarur zgjedhore.

Ata gjithashtu i bënë thirrje BE-së të vendosë sanksione dhe të kufizojë kontaktet formale me qeverinë gjeorgjiane. /Telegrafi/

Exit mobile version