Gjykata e Apelit e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji për të pandehurin E.J.
Në këtë mënyrë, Apeli e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 13.12.2018, sipas të cilit kjo masë llogaritet nga data 11.12.2018 dhe do të zgjasë deri me 11.01.2019.
E.J. po dyshohet nga ana e prokurorisë për tri vepra penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Falsifikim i dokumentit”, “Prezantim i rremë”, “Spiunazh”.
Gjykata e Apelit, gjen se gjykata e shkallës se parë, ka dhënë arsye të mjaftueshme, mbi bazën ligjore për të cilën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj personit në fjalë, konform dispozitave të nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës se Kosovës. /Telegrafi/