Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar të enjten 5 kamionë ushtarakë “Rheinmetall”, donacion nga Gjermania në vlerë 2.7 milionë euro, ndërkaq sipas një njoftimi për media në muajin mars të këtij viti Ministria e Mbrojtjes ka blerë nga buxheti i vetë edhe 10 kamionë të markës së njëjtë me këta që u dhuruan sot nga Republika Federale e Gjermanisë.
Ceremonia e pranimit të donacionit u mbajt sot në kazermën “Adem Jashari”.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se sot është ditë e veçantë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, pasi kanë pranuar donacionin e kamionëve ushtarakë nga shteti gjerman në vlerë 2.7 milionë euro, e që do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike e operacionale.
Ai tha se në rrugën e rritjes dhe të zhvillimit të ushtrisë rol të jashtëzakonshëm ka luajtur partneri strategjik, Republika e Gjermanisë dhe për këtë tha se i janë mirënjohës.
Sipas tij, donacioni i kamionëve ushtarakë në vlerë prej 2.7 milionë euro është vazhdimësi e donacionit prej 3 milionë e 500 mijë euro që kanë pranuar vitin e kaluar nga Gjermania, raporton Telegrafi.
Ministri Maqedonci ka falënderuar shtetin gjerman dhe ambasadorin Jorn Rohde për bashkëpunimin e shkëlqyer.
“Bashkëpunimi i shkëlqyer do të vazhdojë edhe më tutje me synimin e avancimit të kapaciteteve tona mbrojtëse në nivelin e standardeve të NATO-s me qëllim për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë”, tha ai.
Ndërkaq, ambasadori gjerman Rohde tha se donacioni prej 5 kamionëve nga Gjermania ka filluar si projekt nga vitit 2022 me ministrin e atëhershëm Armend Mehaj.
Ambasadori Rohde tha se donacioni prej 5 kamionëve do të ndihmojë FSK-në në fushën e logjistikës.
Ai tha tutje se donacioni i sotëm konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës. /Telegrafi/