Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier është deklaruar sot lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe USAID-it.
Ambasadori amerikan në konferencën për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha sot u nënshkrua marrëveshja prej më shumë se 34 milionë dollarësh për të mbështetur aktivitetet e shumta të USAID-it në Kosovë.
Ai tha se me këtë konfirmohet partneriteti afatgjatë dhe i qëndrueshëm i SHBA-së me popullin e Kosovës, raporton Telegrafi.
“Ky fond do të mbështesë qëllimet strategjike të SHBA-së për Kosovën përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përpjekjet për promovimin e rritjes dhe përparimit ekonomikë si dhe përpjekjet për forcimin e qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të institucioneve demokratike”, tha ambasadori.
Sipas tij, të gjitha programet e USAID-it në Kosovë kanë për qëllim të sigurojnë se të gjithë kosovarët kanë qasje efektive dhe të prekshme në shërbimet që ofrojnë institucionet e tyre.
“Gjithashtu mendojë se është e dobishme të thuhet se nga vitit 1999 ShBA ka investuar më shumë se dy miliardë dollarë për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta.
Ky është manifestim i përkushtimit tonë ndaj popullit të Kosovës”, tha Hovenier.
Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani para mediave ka falënderuar SHBA-në për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Po ju drejtohem pas nënshkrimit të marrëveshjes e cila do të ndikojë drejtpërsëdrejti në plotësimin e objektivave zhvillimore të vendit tonë. Sot së bashku me SHBA-në nënshkruam marrëveshjen për grantin për zhvillim. Si rezultat i saj do të kemi në dispozicion 35 milionë dollar, për projekte të cilat kontribuojnë në përmirësimin e jetës për gjithë qytetarëve”, është shprehur ajo.
Ndryshe, në njoftimin për media të Presidencës bëhet e ditur se nënshkrimi i marrëveshjesh për grantin është në vlerë prej 34 milionë e 727 mijë dollarë. /Telegrafi/