Mbështetja për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky u rrit në 57% në fillim të shkurtit, sipas Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë së Kievit (KIIS).
Dhe kjo shifër është në kundërshtim me pretendimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump se Zelensky ka vetëm mbështetje minimale në mesin e popullatës, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
Duke folur në Mar-a-Lago pasi delegacioni i tij amerikan përfundoi bisedimet me Rusinë, Trump tha se Ukraina duhet të mbajë zgjedhje sepse lideri ukrainas dyshohet se ka një vlerësim të ulët të mbështetjes.
“Ne kemi një situatë ku nuk kemi pasur zgjedhje në Ukrainë, ku kemi gjendjen ushtarake, ku lideri në Ukrainë, e urrej ta them, por ai është në rënie me 4% vlerësim”, tha Trump.
“Unë do të thosha se, e dini, kur ata duan një vend në tryezë, a nuk do të duhej populli i Ukrainës të thotë: ‘E dini, ka kaluar një kohë e gjatë që nuk kemi pasur zgjedhje’. Kjo nuk është çështje e Rusisë, kjo është diçka që vjen nga unë dhe vjen nga shumë vende të tjera”, vazhdoi ai.
“Nëse dikush dëshiron të më zëvendësojë tani, kjo nuk do të jetë e mundur”, tha Zelensky, duke komentuar rezultatet e sondazhit të publikuar të mërkurën.
“Dezinformimi rreth mbështetjes prej 4% vjen nga Rusia. Ne e kuptojmë këtë dhe kemi prova që këto shifra po diskutohen mes SHBA-së dhe Rusisë”.
“Fatkeqësisht, Presidenti Trump, me gjithë respektin e duhur për të si udhëheqës i një kombi që ne e respektojmë shumë… po jeton në këtë hapësirë dezinformimi”, shtoi ai. /Telegrafi/