Site icon Telegrafi

Mbledhja e përbashkët Kosovë-Shqipëri, pritet të nënshkruhen disa marrëveshje (Video)

E plotësuar (10:33): Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare është shprehur i bindur se nënshkrimi i nëntë marrëveshjeve do të shpie në një të ardhme të afërt deri në unifikimin e ekonomive.

Haradinaj tha se e dinë që populli i Kosovës dhe Shqipërisë presin më shumë nga dy qeveritë dhe nga këtu do të vazhdojnë me punë dhe angazhim në ballafaqimin e sfidave të shumta.

“Sot Kosova është palë kontaktuese me BE-në, MSA-në dhe njëkohësisht ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe pret që e drejta e vet të respektohet nga e institucionet e BE-së”, ka thënë ai.

E plotësuar (10:20): Ka filluar të mbahet mbledhja e përbashkët ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa pritet të nënshkruhen disa marrëveshje, kryesisht ekonomike.

Pas mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive do të jetë nënshkrimi i marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri.

Ndërkaq, në 12:30 do të ketë një konferencë të përbashkët për media të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë

Sot në Pejë mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Ndër marrëveshjet kryesore që pritet të arrihen në këtë takim, është ajo e lehtësirave doganore mes dy vendeve, si dhe heqja e tarifës së romingut.

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës në Pejë, do të jetë e pesta e kësaj tradite që ka nisur nga Prizreni, më 11 janar 2014.

Kjo është agjenda e aktiviteteve që do të mbahen me këtë rast:

10:15  Ceremonia shtetërore e mirëseardhjes

10:30  Fillimi i mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë

12:00 Ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërmjet dy qeverive

12:30  Konferenca e përbashkët për media e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

13:00  Fotografia e përbashkët e të dy kabineteve qeveritare

 

Exit mobile version