Të shtunën është mbajtur ecja tradicionale “Zbulimi Hershëm – Mbijetesë”, që ka për qëllim vetëdijesimin ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit dhe përçimin e mesazhit vetëdijësues.
Qëllimi i këtij tubimi të përvitshëm është që përmes zbulimit të hershëm të kësaj sëmundje të tentohet që të arrihet mbijetesa.
Në marshin e përvitshëm ishin me qindra gra, ndër to si mbështetëse e fuqishme, ish- presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ajo para të pranishmëve ka theksuar se tradicionalisht këtë muaj e kemi ngjyrosur me ngjyrën rozë ne shenjë me solidarizimi me gratë që kanë humbur jetën nga kanceri i gjirit dhe për ato që po luftojnë me këtë sëmundje.
Sipas saj, diagnostifikimi dhe zbulimi i hershëm i sëmundjes është shpresë për të shpëtuar.
“Kanceri i gjirit nuk i ka kursyer gratë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare apo pozitën e tyre shoqërore në mbarë botën kudo që jetojnë”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, sipas statistikave nga janari i këtij viti në Klinikën e Onkologjisë në QKUK janë paraqitur 325 raste me kancer të gjirit te femrat. Deri më tani numri i grave me kancer të gjirit është rritur për 3 deri ne 4 për qind.
Kanceri i gjirit është një sëmundje që prek edhe meshkujt. Sipas onkologëve, në Kosovë, çdo vit lajmërohen 10 meshkuj të sëmurë nga ky lloj kanceri.
Muaji Tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën, si në vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim. Kjo rritje në vitet e fundit është për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, rritjes së urbanizimit dhe mënyrave jo të shëndetshme të jetesës .
Aktualisht nuk ka njohuri të mjaftueshme për shkaqet e kancerit të gjirit, por dihet se, zbulimi i hershëm i sëmundjes mbetet guri i themelit të kontrollit të kancerit të gjirit. /Telegrafi/