Floyd Mayweather ka reaguar menjëherë ndaj ngacmimeve të Conor McGreogor në rrjetet sociale.
Është spekuluar për arritjen e një marrëveshjeje për duelin ndërmjet yllit të UFC dhe boksierit të famshëm, mirëpo Mayweather i ka hedhur poshtë këto thashetheme duke thënë se ai vazhdon të jetë i pensionuar.
Tash boksieri ka kërkuar nga irlandezi që t’i rregullojë gjërat në UFC dhe t’i bindë ata që ta lejojnë realizimin e superndeshjes së shumëpritur.
“Dëgjo Conor McGregor, nëse vërtet do që ky duel të ndodhë, merru vesh me UFC dhe pastaj dërgoi njerëzit e tu që të takohen me njerëzit e mi”, ka shkruar Mayweather.
McGregor ndodhet në Las Vegas për një video kundër ngacmimit, ndërsa Mayweather dëshiron që ai ta shfrytëzojë këtë udhëtim që t’i zgjidhë edhe problemet rreth meçit mes tyre.
Dana White dhe UFC nuk duan që ylli kryesor i tyre të hyjë në një ring me një boksier që ka rekord 49-0, ndërsa Floyd mendon se pikërisht kjo është arsyeja që gjërat kanë ngecur.
Nga ana tjetër, McGregor është i vendosur që të përleshet me Mayweather, por duhet t’i bindë shefat e tij që të ndodhë dueli me boksierin amerikan. /Telegrafi/