Mark Zuckerberg ka qenë prej kohësh i magjepsur nga Roma e lashtë. Dëshmi për këtë janë emrat që ua ka vënë vajzave të tij – Maxima, August dhe Aurelia.
Bashkëthemeluesi i Facebookut njoftoi të premten e kaluar se është bërë baba për herë të tretë, duke zbuluar se ai dhe gruaja Priscilla Chan e kanë quajtur vajzën e tretë Aurelia. Emri është një referencë për perandorin romak Marcus Aurelius.
Vajza e parë e 38-vjeçarit quhet Maxima, që është një formë e emrit latin Maximus. Vajza e dytë quhet August, sipas perandorit romak Augustus – të cilin Zuckerberg e konsideron si “një nga figurat më magjepsëse në histori”.
Obsesioni i tij me Romën filloi përpara se të bëhej baba. Në një intervistë të vitit 2018 me New Yorker, ai tha se u interesua për Romën e lashtë kur mësonte latinisht në shkollën e mesme.
“Ka kaq shumë figura të mira, të këqija dhe komplekse. Unë mendoj se Perandori Augustus është një nga më magjepsësit. Me një qasje të ashpër, ai vendosi 200 vjet paqe në botë”, kishte deklaruar në atë kohë.
Kur Zuckerberg dhe Chan u martuan në vitin 2012, ata kaluan muajin e mjaltit pikërisht në Romë.
“Gruaja ime tallej me mua, duke thënë se ishim tre në muajin e mjaltit: unë, ajo dhe August. Kishte skulptura të ndryshme të perandorit Augustus në të gjitha fotot”, kishte thënë ai. /Telegrafi/