Mavrova – vend turistik i cili ndodhet në veriperëndim të Maqedonisë, është shtëpia e Parkut Kombëtar dhe një qendre sportive dimërore. Çdo stinë e vitit ka bukurinë e vet në parkun kombëtar në Mavrovë. Kjo është arsyeja pse ky destinacion është i shkëlqyer për periudhën e dimrit dhe të verës. Sipërfaqja e parkut është 73.088 hektarë dhe është e pasur me disa lloje endemike të bimëve, si dhe me 82 lloje kafshësh të mbrojtura.
Parku kombëtar i Mavrovës përfshin shpatet jugore të Maleve të Sharrit, një pjesë të Malit të Korabit si dhe Maleve të Deshatit, Karçinit dhe Bistrës. Kjo sipërfaqe, relativisht e vogël, karakterizohet nga një numër i madh majash dhe lartësish mbi 2000 metër të cilat ndahen nga njëra tjetra me gryka dhe kanione të thella.
Tereni ofron një mundësi të shkëlqyer për hulumtim, derisa kalëroni mbi kalë ose deri sa lëvizni nëpër shtigjet e çiklizmit dhe alpinizmit, ndërsa shpatet e maleve ju ofrojnë mundësi për kampim dhe shëtitje të gjata.
Pasuria natyrore ju thërret në çdo hap. Mavrova ka 30 shpella piktoreske, midis të cilave dhe Shpella e Gropës së Sharit në afërsi të Rostushes. Në Mavrovë gjendet edhe Lokuv, liqeni më i ulët akullnajor në Maqedoni.
Hidrografia e parkut kombëtar dominohet nga liqenet e ngrirë dhe nga lumi Radika me përrenjtë që e ushqejnë atë. Liqeni i ngrirë në lartësinë më të ulët është liqeni Lokuv në Malin Deshat, në lartesine 1,565, kurse liqeni i ngrire ne lartësine më të madhe është ai që gjendet nën pikën e Golem Korabit në 2,470 metra. Lumi Radika dhe grykat, shpatet, shkëmbinjtë dhe shpellat e tij ndajnë Malet e Bistrës, Korabit dhe Sharrit. Pjesa kryesore e parkut kombëtar gjendet në luginën e lumit.
Bimësia e parkut kombëtar përbëhet nga mbi 1,000 specie bimësh të larta, përfshirë edhe speciet e rralla dhe ato endemike. Edhe fauna e Parkut Kombëtar është e shumëllojshme. Deri në ditët e sotme janë regjistruar 140 specie shpendësh, përfshirë skifterin, shqiponjën, shqipen e maleve, bufin e pyllit dhe bufin e madh. Këtu janë regjistruar shumë lloje amfibësh dhe zvarranikësh dhe 38 specie gjitarësh, si rrëqebulli ballkanik, ariu i murrmë dhe macja e egër. Lokaliteti Brezovec, afër fshatit Selce, është një pikë e shkëlqyer për vrojtimin e dhive të egra, arinjve dhe maceve të egra.
Parku përmban monumente kulturore si Manastiri i Shën Gjon Bigorskit, ndërtuar në vitin 1020 dhe rindërtuar në vitin 1743, ku gjendet një ikonostase e rrallë. Gdhendjet në drurin e arrës nga mjeshtrit e hershëm Petre dhe Marko Filipovski në fshatin Gari dhe Makarija Frchkovski në fshatin Galichnik janë pamje që ia vlen t’i vizitosh.
Pjesë e traditës kulturore është edhe festivali i “Dasmës Galichnik” që mbahet tradicionalisht në ditën e Shën Petrit më 12 korrik. Parku Kombëtar ka një zyrë turistike e cila punon për promovimin e rajonit, monitorimin e aktiviteteve turistike, marketingun e produkteve lokale dhe organizimin e ekskursioneve dhe aktiviteteve të tjera turistike.
E gjitha ajo që mbetet është të vizitohet Mavrova dhe të shijohen bukuritë e rralla natyrore./Telegrafi/