Telegrafi

Masakra në Srebrenicë, Osmani: Tmerret e atij kapitulli të errët nga regjimi i Millosheviqit, kujtesë e mizorisë njerëzore

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar sot viktimat në masakrën në Srebrenicë nga forcat serbe, gjersa thekson se tmerret e atij kapitulli të errët, kur mbi 8 mijë djem e burra boshnjakë u vranë brutalisht nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, janë kujtesë e mizorisë njerëzore.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se Srebrenica nuk është vetëm një vend në hartë, por një simbol i nevojës së vazhdueshme për drejtësi, rëndësisë së të vërtetës dhe fuqisë së kujtimit.

“Sot, në Ditën Memoriale në shenjë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, nderojmë kujtimin e jetëve të pafajshme të humbura dhe ripërsërisim se paqja e qëndrueshme është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi për viktimat”, shkruan ajo. /Telegrafi/