Site icon Telegrafi

Masakra e Lushnjes, Apeli lë në fuqi dënimin “burg përjetë” për Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin me “burg përjetë” për Orges Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, të dy të akuzuar për masakrën e Lushnjes, ku u vranë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku.

Ndonëse ishte “shënjestër”, Shkurti nuk u lëndua në atentat, pasi vetëm pak çaste para se drejt grupit të miqve të tij të qëllohej me breshëri, ishte futur në një dyqan aty pranë, raporton A2 CNN.

Pjesëmarrës në grup ishin edhe persona të tjerë, ende të paidentifikuar, të cilët kanë ndihmuar në gjetjen e automjetit dhe 3 kallashnikovëve të përdorur në ngjarje.

Sipas Prokurorisë së Posaçme SPAK, krimi ka pasur si motiv hakmarrjen, referuar një historiku konflikti mes familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut, nisur që gjatë veprimtarisë së bandës famëkeqe të Lushnjes, në vitin 1998.

Arrestimi dhe plagosja nga policia te “Xhamlliku” në Tiranë:

Në mars të vitit 2021, Orges Bilbili u dënua me 5 vite burg, pasi u cilësua fajtor për “armëmbajtje pa leje” dhe “kanosje për shkak të detyrës”, të punonjësit të policisë në momentin e arrestimit të tij. Më 10 prill 2020, teksa ishte në kërkim për akuzën e vrasjes, Orges Bilbili u plagos me armë zjarri nga një punonjës policie.

Ngjarja ndodhi në zonën e Xhamllikut në kryeqytet. Bilbili u qëllua pasi dyshohet se i drejtoi pistoletën policit që deshi ta ndalojë për t’i verifikuar lejen e lëvizjes në ditë karantine, pa ditur se kishte të bënte me një të kërkuar.

Exit mobile version