Telegrafi

Marshi në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, përmes fotografive

Mijëra qytetarë morën pjesë në “Marshin për Drejtësi”, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre që po përballen me një proces gjyqësorë në Hagë.

Marshi i organizuar nga platforma “Liria ka Emër” nisi në orën 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Ideatorët e platformës Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha u shprehën se UÇK dhe thirrja për drejtësi, sot i bashkoi të gjithë qytetarët e Kosovës.

“UÇK-ja është emëruesi ynë i përbashkët. Është vlera më sublime që kemi krijuar si komb. Ne, si komb, njëzëri, bashkë, marshojmë kundër ndryshimit të historisë. Marshojmë për drejtësi. Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi fillojnë nesër betejën e radhës. Betejën për të vërtetën dhe drejtësinë. Si gjithmonë, do të na kthehen fitimtarë e faqebardhë”, theksoi Tasholli.

Ndërsa, Eliza Hoxha u shpreh se UÇK dhe thirrja për drejtësi, sot i bashkon të gjithë qytetarët e Kosovës.

UÇK na bashkon. Të gjithëve. Pa dallim. Thirrja për drejtësi na bashkon. E unë jam e bindur se ky shesh do të buçojë sërish, në ditën e kthimit të luftëtarëve tanë”, tha ajo.

Në marsh morën pjesë mijëra qytetarë nga qytetet e Kosovës, nga Shqipëria dhe hapësira të tjera të viseve ku banojnë shqiptarët.

Fotografi i Telegrafit Ridvan Slivova ka realizuar fotot nga ky marsh që ne ua sjellim më poshtë.