Site icon Telegrafi

Me marrëveshjen e Uashingtonit, Kosova do bëhet pjesë e Mini Shengenit ballkanik

Kosova ka mbajtur një qëndrim kundër Shengenit Ballkanik dhe kishte refuzuar dy takime e mëparshme që ndodhën në kuadër të kësaj nisme.

Mirëpo, me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington Kosova obligohet të bëhet pjesë e kësaj nisme.

“Të dy palët do të bashkohen në zonën ‘mini Shengen’ të njoftuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor 2019 dhe do të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj”, thuhet në pikën e marrëveshjes.

Lexo po ashtu Këto janë pikat e marrëveshjes të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë

Në konferencën për media, Hoti u pyet edhe për këtë çështje për të cilin tha se i është kërkuar nga Trump që Kosova të jetë pjesë e nismës.

“Sa i përket Minishengenit, ne besojmë se destinacioni ynë përfundimtar është integrimi në BE dhe liberalizimi i vizave. Na është kërkuar nga Trump që të bëhemi pjesë e kësaj nisme dhe ne e kemi pranuar”, tha Hoti.

Për këtë çështje reagoi dhe kryeministri shqiptar Edi Rama në një Twitter, ku shkruan se u humb shumë kohë për projektin ambicioz të Shengenit Rajonal, por më mirë vonë sesa kurrë.

“Keqardhje që u humb kaq kohë për t’u dakordësuar me Shengenin Rajonal,si një projekt ambicioz me interes kombëtar zhvillimi përmes rritjes së bashkëpunimit, e si një shtysë më shumë për integrimin evropian të shteteve tona. Po më mirë vonë se kurrë, edhe falë Amerikës mike”, shkruan Rama.

Exit mobile version