Site icon Telegrafi

Deklaratë e përbashkët për të pagjeturit në takimin e 18 gushtit? Deklarohet BE-ja

Bashkimi Evropian i ka quajtur spekulime të mediave raportimet e djeshme se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në takimin e 18 gusht në Bruksel, do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët.

Siç shkruan gazeta serbe “Nova”, në këtë takim dy palët do të nënshkruajnë një deklaratë e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Media serbe tutje shkruan se teksti i deklaratës është harmonizuar dhe është duke u pritur momenti që ajo të nënshkruhet.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i BE-së për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim për Telegrafin, tha se nuk komentojnë spekulimet në media.

Lexo po ashtu Çka mund të pritet nga takimi Kurti – Vuçiq më 18 gusht?

“Nuk komentojmë spekulime në media dhe nuk paraprijmë takimet që organizojmë me spekulime për një përfundim të mundshëm”, deklaroi Stano.

I pyetur se pse nuk është bërë publike ende agjenda e takimit, ai tha se një gjë të tillë do ta bëjnë më afër datës kur zhvillohet takimi.

“Lidhur me takimin e nivelit të lartë të dialogut me Presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në Bruksel më 18 gusht, do të publikojmë më shumë detaje rreth tij, përfshirë agjendën, më afër datës kur do të zhvillohet”, u shpreh tutje Stano.

Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Kryeministrit lidhur me këtë çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka pranuar përgjigje.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, do të takohen në Bruksel, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës si rezultat i vendosjes së masave të reciprocitetit nga ekzekutivi kosovar.

Herën e fundit ata janë takuar më 5 maj në një darkë joformale, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak të cilët paraprakisht ishin takuar ndaras me kancelarin gjerman, Olaf Scholz./Telegrafi/

 

Exit mobile version