Site icon Telegrafi

Marrëveshja tregtare e BREXIT-it, Këshilli Evropian miraton vendimin për nënshkrimin e saj

Këshilli Evropian ka njoftuar se ka miratuar me procedurë të shkruar vendimin mbi nënshkrimin e marrëveshjes tregtare pas BREXIT-it midis Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe.

Presidenti i KE-së, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta nënshkruajnë në Bruksel, ndërsa kryeministri britanik Boris Johnson, do ta nënshkruajë në Londër.

Marrëveshja do të zbatohet “përkohësisht” pasi Britania e Madhe të largohet nga tregu i vetëm i BE-së më 1 janar të vitit 2021.

Marrëveshja akoma ka nevojë për miratim nga Parlamenti Evropian, i cili nuk pritet të ndodhë para 28 shkurtit.

Britania e Madhe votoi të largohet nga BE-ja në një referendum të vitit 2016, me 52 për qind në favor dhe 48 për qind kundër. Vendi u largua zyrtarisht nga BE-ja në fund të janarit të këtij viti. Që nga ajo kohë, ajo ka qenë në një periudhë tranzicioni, që do të thotë se Britania e Madhe vazhdoi të ndjekë rregullat e BE-së përderisa punonte për një marrëveshje të re tregtare.

Brukseli dhe Londra arritën një marrëveshje tregtare pas BREXIT-it më 24 dhjetor, pas disa muajve të negociatave dhe vetëm një javë para fundit të periudhës së tranzicionit. /Telegrafi/

Exit mobile version