Duket se po i vije fundi ‘telenovelës’ mes Interit dhe Barcelonës për Lautaro Martinezin.
Sulmuesi argjentinas është objektivi kryesor i Barcelonës, por problemi për katalunasit qëndron tek klauzola e lartë e tij prej 111 milionë euro.
Lautaro ka arritur marrëveshje personale me Barçën ku do të nënshkruajë kontratë pesë vjeçare me pagë prej 10 milionë euro në sezon.
Ndërkohë pas shumë bisedimeve, duket se marrëveshja është shumë afër edhe mes Interit dhe Barcelonës.
Interi refuzoi shkëmbimin me Antoine Griezmann pasi problem mbetet paga e lartë e francezit prej 17 milionë euro në sezon.
Ndërkohë sa i përket Arturo Vidalit, kiliani nuk do të përfshihet në marrëveshje shkëmbimi, pasi Interi do ta blejë atë me para.
Neroazzurët i kanë kërkuar Barcelonës që t’i ofrojë katër futbollistë në këmbim të Lautaros.
Dy mbrojtësit anësorë Nelson Semedo dhe Junior Firpo që pëlqehen jashtëzakonisht shumë nga Conte duhet të jenë në ofertë.
Semedo vlerësohet rreth 40 milionë euro, ndërsa mbrojtësi i majtë Junior Firpo 20 milionë.
Dy emrat e tjerë që janë kërkuar nga Interi janë edhe dy mesfushorët e huazuar momentalisht nga Barcelona, Marc Cucurella dhe Carles Alena.
Cucurella ka shkëlqyer me Getafen dhe vlerësohet 25 milionë euro, ndërsa edhe Alena ka bërë paraqitje jashtëzakonisht të mira me Betisin dhe ka vlerë të njëjtë.
Tani i mbetet Barcelonës në duar të vendos nëse do t’i sakrifikojë këta katër yje për të nënshkruar me Lautaro Martinezin, i cili është edhe dëshira e madhe e Messit për repartin e sulmit. /Telegrafi/