Site icon Telegrafi

Marrëveshja për Energjinë me Serbinë për katër komunat në veri, java e ardhshme është vendimtare 

Javën e ardhshme pritet që delegacionet nga Kosova dhe Serbia të finalizojnë marrëveshjen për energjinë, e që ka të bëjë me katër komunat në veri të vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media bëri të ditur se ditët në vijim të javës së ardhshme janë vendimtare për marrëveshjen me Serbinë për energjinë.

“Ditët në vijim të javës së ardhshme janë vendimtare për të parë a do të bëhet finalizimi i dakordimit për nisjen e zbatimin e Udhërrëfyesit të energjisë andaj duhet të kemi shumë kujdes, as me hamendësime as me gjysmë të vërteta ta dëmtojnë procesin”, tha Kurti, duke shtuar se po kërkohen pretekste për të ikur nga marrëveshja që janë afër më shumë se asnjëherë më parë, raporton Telegrafi.

Lidhur me këtë marrëveshje me Serbinë, ai tha se bëhet fjalë për katër shërbime të dakorduara më herët, vendosje e matësve të energjisë, mirëmbajtje e matësve, faturimi dhe inkasimi.

“Gjithashtu krejt çfarë mund të them është se duhet ta presim ekipin tonë të bisedimeve që udhëhiqet nga kryenegociatori Besnik Bislimi e që ka në portofolin e tij ka zhvillimin, dialogun e integrimet evropiane lidhur me marrëveshjen e re të energjisë e cila do të na mundësonte që ta normalizojmë gjendjen lidhur me faturimin dhe inkasimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri

Ajo çfarë duhet të mbahet mend është që bëhet fjalë për katër shërbime të dakorduara më herët, vendosje e matësve të energjisë, mirëmbajtje e matësve, faturimi dhe inkasimi dhe këtë obligim ne e kemi përmbushur e që i referohet takimit ndërmjet KEDS-it dhe palës serbe, pra vetëm në atë aspekt ata kanë biseduar.

Nuk do të ketë asnjë shërbim shtesë në fushën e distribucionit përtej këtyre katër shërbimeve që i përmenda dhe përtej katër komunave në veri. Në këtë aspekt kanë biseduar KEDS-i me palën serbe, më 9 qershor”, tha ai.

Kurti më tej shtoi se kjo marrëveshje nuk  ka të bëjë dhe nuk lidhet me çështjen e liberalizimit të vizave. /Telegrafi/

Exit mobile version