Ish kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Marrëveshja për Energjinë e arritur sot në Bruksel është e njëjta me vitin 2013 dhe 2015.
Mustafa në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja, Vjosa Osmani duhet të deklarohen nëse e kanë shkelur Kushtetutën dhe se a kanë bërë tradhti kombëtare duke bërë marrëveshje me Serbinë për një pjesë të territorit të Kosovës.
“Duhet të deklarohen Albini dhe Vjosa se a e kanë shkelur Kushtetutën. A kanë bërë tradhti kombëtare duke bërë marrëveshje me Serbinë për një pjesë të territorit të Kosovës. Apo mos, natën e kanë ndryshuar Kushtetutën. ( Kjo është përgjigje me logjikën e tyre)….”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, marrëveshja është e njëjta me vitin 2013 dhe 2015, duke shtuar se nuk flitet në të vetëm për themelimin e EkektroSever dhe anëtarësimin e KOSTT në ENTSO-e, pasi siç u shpreh ai këto kanë ndodhur më parë.
“Marrëveshja është e njëjta, e vitit 2013 dhe 2015). Nuk flitet në te vetëm për themelimin e EkektroSever dhe anëtarësimin e KOSTT në ENTSO-e, sepse kanë ndodhur më parë. Tjerat janë veprime “ kreative” të caktimit të afateve. Megjithatë, vlerësoj se është veprim i mirë, gjithnjë me supozimin se Serbia nuk do ta minojë”, tha Mustafa.
Më ironi ndaj krerëve të shtetit, Mustafa u shpreh: “Kështu do ta pranojnë edhe Marrëveshjen për Asociacionin dhe do të mburren me kreativitetin e tyre”.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit kanë arritur të nënshkruajnë të martën Marrëveshjen për Energjinë.
Ndërkaq, të dy vendet kishin nënshkruar Marrëveshjen për çështjen e Energjisë gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013, e që ishte konfirmuar në gusht të 2015-së.
Kjo Marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parashihte që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës me emrin Elektrosever, pronare e të cilës është Serbia nëpërmjet Elektroprivreda Serbia. /Telegrafi/