Telegrafi

Marrëveshja e drithërave të Detit të Zi – çfarë ushqimi eksportohet dhe cilat vende përfitojnë më së shumti?

Pas raportimeve se javën e ardhshme Rusia do të diskutojë me shefin e OKB-së për marrëveshjen e Detit të Zi rreth grurit, skynews i ka hedhur një sy marrëveshjes.

E përshëndetur si një nismë historike, marrëveshja lejoi që eksporti i sigurt i grurit të rifillonte nga portet e Detit të Zi pasi ato u bllokuan nga forcat e Vladimir Putinit me rastin e pushtimit të Ukrainës.

Marrëveshja u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia ndërsa u nënshkrua në një ceremoni në Stamboll më 22 korrik të vitit të kaluar.

Ajo është rinovuar dy herë që atëherë – një herë për 120 ditë në nëntor dhe përsëri në mars për 60 ditë.

Pse ishte e nevojshme?

Bllokada nga flota ruse e Detit të Zi pasi pushtoi fqinjin e saj ndërpreu furnizimin e tregjeve në mbarë botën dhe bëri që të rriteshin çmimet e grurit.

Shumë njerëz në rajonet më të varfra të botës mbështeten në dërgesat nga Deti i Zi për ushqim dhe kishte frikë se kostoja po nxiste një krizë urie.

Megjithëse zhbllokimi i rrugës së eksportit detar ndihmoi në adresimin e krizës globale të sigurisë ushqimore dhe çmimeve më të ulëta të drithërave, ka ende ngecje të mëdha të eksporteve.

Çfarë është eksportuar deri tani?

Më shumë se 27.7 milionë ton drithë dhe produkte të tjera janë dërguar sipas marrëveshjes së drithit të Detit të Zi.

Misri përbën gjysmën e eksporteve, i ndjekur nga gruri.

Ku shkojnë eksportet?

Anijet kanë zhvendosur vëllime të mëdha të eksporteve të grurit nga tre portet kryesore të Ukrainës në Detin e Zi – Odesa, Chornomorsk dhe Pivdennyi – në tregjet botërore.

Këto janë pesë destinacionet kryesore për sa i përket vëllimit të eksportit – Kina, Spanja, Turqia, Italia dhe Holanda.

Çfarë po ndodh tani?

Marrëveshja, tani në zgjatjen e saj të tretë, është caktuar të përfundojë më 18 maj.

Rusia ka kërkuar që të hiqen pengesat për eksportet e saj bujqësore dhe të plehrave, nëse do të shqyrtojë një zgjatje të mëtejshme.

Por Kremlini tha sot se perspektiva për marrëveshjen ishte “jo aq e madhe”.

Kievi ka thënë vazhdimisht se po përmbush anën e tij të marrëveshjes. /Telegrafi/