Çfarë thanë jugosllavët në Konferencën e Paqes së 29 korrikut 1949? Pse Shqipëria nuk ftohej në konferencat ndërkombëtare? A ishte Shqipëria atë kohë në gjendje lufte me Greqinë? Çfarë kërkonin italianët dhe grekët nga Shqipëria? Cili ishte reagimi jugosllav ndaj këtyre kërkesave? Telegrafi risjell pjesën e fundit të studimit të profesorit të historisë, Agim Zogaj.
Më 29 korrik 1946 u hap Konferenca e Paqes për të bërë traktatet e paqes me Italinë dhe shtetet ish-satelite të Boshtit. Në këto konferenca u ftuan 21 shtete që kanë marrë pjesë në luftë kundër fashizmit. Shqipëria me gjithë se mori pjesë aktive në luftë dhe këtë nuk ka kush e mohon nuk u thirr në këtë konferencë.
Qeveria e R.P. të Shqipërisë, karshi kësaj padrejtësie që i bëhej popullit tonë, duke mohuar gjithë atë luftë, më 26 prill dhe 10 korrik ia dërgon dy telegrame Këshillit të ministrave të jashtëm që, duke marrë parasysh kontributin që dha populli ynë në luftë, të marrë pjesë në konferencë, me të drejta të barabarta si gjitha shtetet e tjerë pjesëmarrëse.
”MBROJTJA” POLITIKE JUGOSLLAVE PËR SHQIPËRINË!
Në seancën e 8-të plenare të 8 gushtit Mosha Pijade propozon thirrjen e Republikës P. të Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Në fjalimin e tij Mosha Pijade i bëri një analizë të hollë luftës së popullit tonë qysh në ditët e agresionit, rritjes që pati kjo më vonë dhe sukseseve të saj, duke i dokumentuar të gjitha me fakte të gjalla. Gjithashtu vuri në dukje se vetë anglo-amerikanët e kanë admiruar luftën e populit shqiptar, ndaj duhet që të thirret Shqipëria në konferencë si pjesëtare dhe me të drejta të barabarta. Më në fund, Mosha Pijade i paraqiti Konferencës plenare këtë rezolutë: “Konferenca plenare pranon ta ftojë R.P. të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, për të marrë pjesë në Konferencën plenare dhe në komisione që do të merren me shqyrtimin e projektraktateve të paqes me Italinë, me të drejtë vote konsultative. Nga një anë, duke marrë parasysh të drejtat e Shqipërisë për të marrë pjesë dhe nga ana tjetër se në projekttraktatin e paqes me Italinë përfshihet një seksion i tërë me 6 paragrafe, me titullin ‘Shqipëria’…”. Prandaj, Mosha Pijade kërkoi që të pranohet kjo rezolutë.
Por, kundër kësaj rezolute të drejtë u ngrit delegati grek, duke ngritur çështjen se Shqipëria nuk ka asnjë nga cilësitë e nevojshme për të marrë pjesë. Ai shtroi si gjithmonë shpifjet e poshtra dhe pretendimet qesharake se gjoja Shqipëria qenka në gjendje lufte me Greqinë. Ky refuzim u përkrah edhe prej delegatëve të cilët e kishin shfaqur edhe herave të tjera urrejtjen e tyre për vendin tonë, mbas shumë debatesh të ashpra dhe me këmbënguljen e delegacioneve të Jugosllavisë dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë, konferenca aprovoi një rezulutë të paraqitur nga delegati çekosllovak.
Në këtë seancë delegacioni jugosllav demaskoi hapur qëllimet e delegatëve grekë, të cilët i kishin propozuar delegacionit jugosllav copëtimin e Shqipërisë në kohën kur po zhvillohej Konferenca e Paqes. Ky ishte një grusht shumë i rëndë për delegatët grekë dhe për ato që mbronin akuzat e tyre.
Mbrojtja e të drejtave tona nga delegatët e Jugosllavisë del dhe në dëmshpërblime që duhet të marrë Shqipëria nga Italia si një vend i plaçkitur dhe i shfrytëzuar deri në palcë nga imperialistët italianë. Por, propozimi jugosllav në seancën e 8.10.1946 gjeti prapë kundërshtime nga kundërshtarët e vendit tonë, të cilët kundërshtuan këtë të drejtë të popullit tonë dhe bënë propozime qesharake që Shqipëria të marrë këto nga Bullgaria, vend që ne nuk kemi qenë kurrë në luftë me të. Në mbledhjen plenare përfaqësuesi jugosllav, Bebler, i bëri një vërejtje tjetër raportit të Komisionit ekonomik për Italinë.
SHQIPTARËT KËRKOJNË ARIN NGA ITALIANËT!
Delegati shqiptar kërkoi që t’i kthehet Shqipërisë sasia e arit të grabitur nga qeveria italiane në kohën e okupimit. Në lidhje me këtë problem, delegati jugosllav kërkoi që në faqen 60 të këtij raporti, ku thuhet: “Komisioni e shqyrtoi propozimin shqiptar, të përkrahur prej përfaqësuesit jugosllav, me qëllim të shtohet neni 24 i cili parashikon kthimin e arit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, që ndodhet në Itali, të ndryshohet duke vënë nenin 24-b, sipas përmbajtjes së tekstit të paraqitur nga delegati shqiptar në këtë mënyrë: Italia merr detyrime t’ia kthejë Shqipërisë rezervën e arit të Bankës Kombëtare të Shipërisë”. Por, anglo-amerikanët, duke mbrojtur armiqtë e djeshëm, vegla të tyre të sotme dhe duke mos dashur që vendet që po ecin në rrugën paqësore të ngrejnë ekonominë e tyre, por të varen nga ata, e hodhën poshtë propozimin jugosllav në seancën plenare me 13 vota kundër, 7 pro dhe 1 abstenim.
Edhe në Komisionin mbi çështje tokësore delegacioni jugosllav, si në të gjitha komisionet e tjera, ku mohoheshin të drejtat e popullit tonë, mbrojti me këmbëngulje dhe energjikisht këto të drejta. Përfaqësuesi jugosllav Vilfan propozoi dy ndryshime në artikullin e 25-të, ku bëhet fjalë për Shqipërinë:
I – “Italia ndjek dhe angazhohet të respektojë sovranitetin indipendencën dhe integritetin tokësor të shtetit shqiptar” (ndryshimi është: integriteti tokësor). Ky ndryshim është i domosdoshëm për sigurimin e paqes dhe për mbrojtjen e Shqipërisë, sepse kemi parë që formalisht është respektuar sovraniteti dhe indipendenca nga Italia para okupimit, por është cenuar integriteti tokësor (shembull është okupimi i Sazanit).
II – Në artikullin 25 të shtohet ky paragraf i ri: “Për aplikimin e këtij traktati, Shiqpëria do të gëzojë të drejtat e një fuqie shoqe”. Të dy ndryshimet kanë një rëndësi të madhe për vendin tonë. Këto tregojnë se Shqipëria ka qenë viktima e parë e Italisë fashiste, ajo ka luftuar me fuqitë e saj për zhdukjen e tij, krah me fuqitë e tjera të mëdha, prandaj ajo duhet të jetë shoqe në aplikimin e këtij traktati.
GREQIA E KËRKONTE ISHULLIN E SAZANIT DHE EPIRIN VERIOR!
Rreth këtyre amendamenteve u bënë shumë diskutime dhe amendamente të tjera. Amendamenti më qesharak ishte ai i Greqisë, ku kërkonte nga Shqipëria ishullin e Sazanit, pasi ajo nuk ishte në gjendje ta mbronte prej ndonjë okupimi të mundshëm nga Italia. Më në fund ky amendament u vu në votë.
Integriteti tokësor adaptohet me 11 vota pro, 8 abstenim dhe një kundër. Pjesa tjetër e amendamentit për të shtuar paragrafin 25 a me këmbënguljen e delegatëve anglo-amerikanë dhe të përkrahësve të tyre të cilët nuk duan ta shohin Shqipërinë si një fuqi shoqe që luftoi bashkë me ta kundër armikut, u rrëzua me 12 vota kundër, 6 pro dhe 2 abstenim.
Në seancën plenare të 30 gushtit, përfaqësuesi grek, Iraguminius, i paraqiti Konferencës plenare një projekt rekomandimi në lidhje me nenet 21-26 të projekttraktatit të paqes me Italinë (por jo zyrtarisht). Me anën e këtij projekti kërkonte që konferenca t’i rekomandonte Këshillit të ministrave të jashtëm që në mbledhjen e tij të afërt të vendosë për disa çështje tokësore të përzgjidhura ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, për çështjen e aneksimit të të ashtuquajturit Vorio-Epirit. Këtë projekt delegacioni grek, bashkë me ustallarët dhe përkrahësit e tij, e mbështeti se gjoja Shqipëria qenka në gjendje lufte me Greqinë qysh në luftën italo-greke. Kundër këtyre qëllimeve të delegacionit grek u ngrit z. Mosha Pijade, i cili hodhi poshtë këto qëllime të imperialistëve grekë, duke nxjerrë menjëherë të drejtat dhe luftën e popullit shqiptar dhe nguli këmbë energjikisht që propozimi i delegatit grek të mos vihet në rendin e ditës. Mbi këtë çështje bënë mjaft diskutime delegatët anglo-amerikanë dhe, si kurdoherë, që kur ka qenë puna për të luftuar kundër Shqipërisë, e përkrahi këtë propozim, duke i hedhur poshtë një lustro, se konferenca nuk do të shqyrtojë këtë problem, por kjo është një çështje e thjeshtë procedurale. Delegacioni jugosllav i kundërshton edhe një herë qëllimet e qeverisë greke kundër pretendimeve tokësore rreth fqinjëve të saj. Më në fund, me gjithë kundërshtimet e mëdha të delegatëve të Jugosllavisë e Çekosllovakisë për të mos u pranuar, Konferenca adopton propozimin grek që të vihet kjo çështje në urdhërin e ditës me 12 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime. Vënia në rendin e ditës të këtij projekti është krejt e padrejtë, nga një anë pse Greqia nuk ka asnjë për të marrë nga Shqipëria, pse për të nuk ka Vorio-Epir dhe nga ana tjetër një gjë e tillë nuk i takon aspak Konferencës së Parisit, pasi kjo merrej vetëm me përpilimet e traktatit të Paqes me Italinë dhe vendet satelite të Boshtit.
Po anglo-amerikanët, bashkë me shërbëtorët e tyre, e përkrahën këtë projekt, sepse është në interes të tyre: ata duan të zgjerojnë kufijtë e Greqisë, se kështu do të zgjerojnë edhe bazat e tyre strategjike dhe, nga ana tjetër, për t’i futur popujt në grindje njëri me tjetrin, për t’u bërë vetë arbitër.
SHQIPËRIA E KONSIDERONTE JUGOSLLAVINË SI FAKTOR STABILITETI NË BALLKAN!
Veç kësaj konference, ku ndihma dhe mbrojtja që i bën përfaqësuesit e Jugosllavisë, vendi ynë ishte i shkëlqyeshëm dhe tregoi se Shqipëria nuk është vetëm, por ka aleate të fortë të cilët i gjeti në luftë dhe po i provon sot. Jugosllavia na ka mbrojtur edhe në konferenca të tjera ndërkombëtare. Më 12 mars 1946 mblidhet në Uashington konferenca e UNRRA-s, e cila do të merrej me çështje ekonomike për t’u ardhur në ndihmë vendeve të shkatërruara nga lufta. Shqipëria, megjithëse i kishte të gjitha konditat për t’u pranuar si anëtare, nuk u thirr në këtë konferencë. Përfaqësuesi i Jugosllavisë propozoi që edhe Shqipëria të marrë pjesë në këtë konferencë dhe të bëhet anëtare efektive e UNRRA-s. Ai vuri në dukje luftën e popullit tonë dhe përpjekjet që po bën sot populli shqiptar për ndërtimin e vendit të tij. Ky propozim u përkrah gjithashtu nga delegati i BS-së dhe Çekosllovakisë, por përfaqësuesi i Francës, Pjetër Scheter, e kundërshtoi duke thënë se Shqipëria është ende në gjendje lufte me një nga anëtarët, d.m.th. Greqinë.
Këtu dalin edhe një herë në shesh qëllimet e imperialistëve, të cilët kudo që paraqitet rasti, duan të hedhin poshtë të drejtën e popullit tonë. Ata edhe në konferenca të tilla që nuk kanë karakter politik, duan të mohojnë luftën tonë dhe t’i përdorin këto për interes të tyre. Me gjithë këmbëguljen nga miqtë tanë, konferenca nuk e aprovoi propozimin e delegatit jugosllav. Kështu që Shqipërisë i mohohet edhe një e drejtë tjetër e pamohushme. Përfaqësuesit e Jugosllavisë ,duke mbrojtur interesat e gjithë popujve të Ballkanit, kanë protestuar dhe demaskuar energjikisht ndërhyrjen imperialiste në Greqi dhe manevrat e tyre për ta bërë këtë një vend agresioni kundër demokracive të Ballkanit dhe kanë demaskuar vazhdimisht provokimet dhe kërcënimet në kufijtë tanë. Jugosllavia ka goditur ashpër shpifjet e kurdisura nga Komisioni hetimor kundër popujve të Ballkanit në kohën e veprimtarisë së tij me anë të përfaqësuesit të saj në këtë komision, duke nxjerrë në shesh të gjitha manevrat e tyre. Aq më tepër del në dritë qëndrimi i drejtë i Jugosllavisë kundër krijimit të Komisionit të dytë për Ballkanin. Në Komitetin Politik të UNO-s, në diskutimet rreth këtij problemi, përfaqësuesi jugosllav Bebler nxori në shesh qëllimet e vërteta të këtij komisioni, që është vetëm për të justifikuar ndërhyrjen amerikane në Greqi. Pra, qysh në lindje të tij Jugosllavia e ka goditur formimin e këtij komisioni, duke mos e njohur zyrtarisht dhe duke mos lënë të ushtrojë aktivitetet në tokën jugosllave.
Përfaqësuesi i M.P. të Jashtme i Jugosllavisë, Banjeviq, ka deklaruar se Jugosllavia nuk i njeh asnjë të drejtë të këtij komisioni dhe e dënon edhe një herë orvatjen për të zhvilluar nën maskën e UNO-s një politikë për likuidimin e pavarësisë kombëtare të një populli, një politikë që kërcënon paqen. Ai deklaroi se ardhja e komisionit nuk do të bëjë gjë tjetër veç se do ta keqësojë gjendjen në Greqi dhe do ta rrezikojë edhe më tepër paqen në këtë pjesë të Evropës.
Me këtë politikë të drejtë Jugosllavia është bërë një nga faktorët kryesorë për ruajtjen dhe forcimin e paqes në Ballkan dhe në botë.
– Fund –