Mbrojtësi i Real Madridit, Marcelo, i ka lavdëruar bashkëlojtarët e tij për fitoren e rëndësishme kundër Galatasaryt në Ligën e Kampionëve.
Los Blancos patën disa shanse në ndeshjen e zhvilluar në Stamboll, por shënuan vetëm një gol përmes Toni Kroosit, për ta arritur fitoren e parë këtë edicion në garën e madhe evropiane.
“Në secilën ndeshje, gjithmonë japim më të mirën. Por sonte (e martë) duhej të fitonim. Krijuam shumë raste për të shënuar, mirëpo në fund u desh të pajtoheshim me një gol dhe tri pikë”.
“Fitorja është më e rëndësishmja, megjithëse na mungoi pakëz fati. Skuadra luajti me intensitet që nga fillimi dhe treguam se po përmirësohemi si ekip”, ka deklaruar braziliani pas ndeshjes.
Kjo fitore e pozicionon Realin në vend të dytë në Grupin A me katër pikë, prapa Paris Saint-Germainit që numëron nëntë pikë në krye. /Telegrafi/