“Maqedonia dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë në zhvillimin e rrjeteve transportuese të gazit natyror përmes ndërtimit të linjës ndërlidhëse për ta ofruar në mënyrë efikase këtë gaz natyror”.
Këtë e parasheh Memorandumi për Mirëkuptim që sot u nënshkrua në Tiranë midis “SHA Resurset Energjetike të Maqedonisë” dhe kompanisë “ALBGAZ” nga Tirana. Në nënshkrimin e Memorandumit morën pjesë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Ministri shqiptar i Energjetikës, Damian Gjiknuri, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Bekteshi tha se si vende fqinje, me marrëdhënie tradicionalisht miqësore dhe bashkëpunim të zhvilluar ekonomik, në mënyrë aktive janë angazhuar për të siguruar integrim më të shpejtë të tregjeve të energjisë në atë të BE-së dhe Komunitetit Energjetik dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji në rajon.
“Ky Memorandum është një hap përpara drejt zhvillimit të partneritetit dypalësh strategjik në fushën e gazit natyror, duke u bazuar në Memorandumin tashmë të nënshkruar në fushën e energjetikës mes Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Energjetikës të Republikës së Shqipërisë”, tha Bekteshi.
Sipas tij, gëzon fakti që ndërtimi i projektit TAP në territorin shqiptar është në fazën përfundimtare.
Ai vlerësoi se bashkëpunimi në fushën e gazit natyror, verifikuar sot nga drejtuesit e MER dhe ALBGAZ Bajram Rexhepi dhe Arbër Avrami, si një partneritet strategjik mes dy kompanive do të mundësojë siguri të furnizimit me gaz natyror.
Ndërsa ministri shqiptar Damian Gjiknuri tha se nënshkrimi i këtij memorandumi për bashkëpunim në sferën e gazifikimit, si pjesë e energjetikës, është një bazë e mirë nga e cila do të përfitojnë të dyja vendet./Telegrafi/