Pagesa e subvencioneve për duhanin nga prodhimtaria 2017 do të fillojë javën e ardhshme, ndërsa subvencione të rritura do të marrin mbi 23.400 kultivues të duhanit, njoftoi sot Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU).
Sipas MBPEU-së, nga sot deri në fund të kësaj jave Agjencia Pagesore do t’i implementojë kontrollet ligjore në kompanitë blerëse pas çka pason përpunim i zgjidhjes për pagesën e subvencioneve për duhanin.
Me mënyrën e re të subvencionimit në tre nivele që fillon me prodhimtarinë e vitit 2017, subvencionimi për klasën e parë të duhanit është 80 denarë, për të dytën 70, ndërsa për të tretën, të katërtën dhe klasën shtesë është 60 denarë.
“Qëllimi i modelit të ri të subvencionimit është që të shtyhen kultivuesit e duhanit që të prodhojnë duhan më cilësor që të fitojnë subvencionim më të lartë. Prodhimtaria e duhanit është degë e rëndësishme për bujqësinë e Maqedonisë, e cila sjell të hyra të devizave nga rreth 100 milionë euro në vit”, thonë nga Ministria.
Njëherit informojnë se sot në Gazetën Zyrtare u publikuan ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural nga të cilat një pjesë parashikojnë anulim të rëndësisë së kushteve për detyrime të përfunduara drejtë Drejtorisë së të Ardhurave Publike të cilat vitet e kaluara ishin pengesë për pagesën e subvencioneve. “Me këtë ndryshim krijohen kushte ligjore për pagesë me kohë të subvencioneve, në mesin e të cilave është edhe pagesa e subvencioneve për duhanin nga prodhimtaria e vitit 2017”, thekson Ministria./Telegrafi/