Site icon Telegrafi

Maqedoni, kush mban përgjegjësi për dështimin e takimit në Vjenë?

Dështimi i takimit të parashikuar të mbahej në Vjenë mes eurodeputetëve dhe katër liderëve të partive kryesore të Maqedonisë thellon edhe më shumë krizën politike. VMRO-DPMNE dhe LSDM shkëmbejnë akuza mes tyre, njofton DW.

Lidhja Social-Demokrate e opozitës thotë, se përgjegjësinë për gjendjen e krijuar, e bart pushteti për shkak se – siç thotë i shmanget përballjes me drejtësinë për krimet e bëra, por edhe përgjegjësisë për shkeljen e pikave kryesore të marrëveshjes politike. “Përgjegjës për të gjitha ngjarjet në Maqedoni është e Nikolla Gruevski, Gjorgje Ivanovi dhe Trajko Veljanovski. Në Maqedoni duhet dhe do të ketë zgjedhe të lira dhe demokratike. Maqedonia demokratike nuk do të lejojë që Gruevski ta mbajë peng të ardhmen e shtetit”, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov duke paralajmëruar vazhdimin e betejës për rrëzimin e “pushtetit të kriminalizuar”.

Nga VMRO-DPMNE akuzojnë opozitën për dështimin e përpjekjes së radhës të përfaqësuesve ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshjeje të re për krizën.

“Me sabotimin e takimit të Vjenës, Zoran Zaev ka dëshmuar se për të, më me rëndësi është interesi personal, se ai i shtetit dhe qytetarëve, të cilët dëshirojnë t’i jepet fund kësaj krize të gjatë politike. Me këtë sabotim, Zoran Zaev ka humbur edhe një shans për arritjen e marrëveshjes – mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor”, ka deklaruar Antonio Milloshoski, anëtar i Komitetit qendror të VMRO DPMNE-së.

Analistët sinjalizojnë ndëshkimin e Maqedonisë nga ndërkombëtarët

Pas dështimit të takimit të Vjenës, njohësit e çështjeve politike vlersojnë se mundësitë për daljen nga qorrsokaku politik janë minimizuar. “Evropa është treguar e pavendosur ndaj regjimit autoritar që shkel të drejtën demokratike të qytetarëve. Rrjedha e ngjarjeve, që nga nënshkrimi i marrëveshjes politike, dëshmoi se pa SHBA-në, në Maqedoni nuk do të mund të zgjidhet kriza. Kjo mbetet mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit”, ka deklaruar ish-diplomati Nano Ruzhin.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Ylber Sela, duke komentuar anulimin e takimit të liderëve në Vjenë, ka thënë se kjo do të sjellë pasoja serioze për Maqedoninë, dhe se ndërhyrja amerikane është e domosdoshme.

“SHBA-ja dhe BE-ja duhet përfundimisht që në praktikë t’i bëjnë presion të madh ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili me muaj po taktizon dhe shkel marrëveshjen e Përzhinos. Sanksionet ndaj Gruevskit duhet të jenë të mëdha, duke e penguar udhëtimin e tij në vendet e BE-së, duke i bllokuar xhirollogaritë dhe në fund duke e kërcënuar vendin, se mund të izolohet ndërkombëtarisht”, thotë profesor Jove Kekenovski.

Analisti politik Alajadin Demiri konsideron se tani ka ardhur koha e fundit që BE-ja të veprojë konkretisht dhe të ndëshkojë politikanët e papërgjegjshëm në Maqedoni.

“BE pas dështimit të takimit në Vjenë do të jetë më i ashpër ndaj strukturave politike të vendit. Hapi më i rreptë që do ta ndërmarrë BE-ja është bllokimi i xhirollogarive të funkcionerëve nga Maqedonia. Një masë tjetër që ka mbetur – është shpallja e Maqedonisë si Protektorat, por për një masë të tillë duhet të përgatitet terreni“, vlerëson Alajdin Demiri.

Shkupi nën ethet e protestave

Ndërkohë që partitë politike kanë mbetur në status-quo sa i përket dasljes nga kriza politike, Maqedonia është përfshirë nga ethet e protestave dhe kundërprotestave të organizuara nga organizata joqeveritare por që përkrahen nga dy partitë më të mëdha maqedonase. Protesta e nëntë në radhë e Lëvizjes “Protestoj”, kundër vendimit të Presidentit Ivanov për faljen e shumë politikanëve të përfshirë në krime dhe korrupsion është mbajtur para Prokurorisë Speciale Publike, por forca të shumta policore kishin bllokuar të gjitha rrugët që çojnë drejt institucioneve kryesore të shtetit. Pasi u tubuan para selisë së qeverisë, protestuesit kanë derdhur bojë në rrugë dhe kanë gjuajtur me topa me bojë drejt objektit, duke simbolizuar protestën e tyre si “revolucioni laraman”. Ministria e Punëve të Brendëshme bën të ditur për tre policë të lënduar.

Në kundërprotestën me moton “Maqedonia në këmbë”, kryesisht kanë mbizotëruar mbishkrime kundër ndërkombëtarëve, kundër BE-së, NATO-s dhe kundër ambasadorëve ndërkombëtarë në vend. “Jo në BE”, “NATO jashtë”, “NATO-North Atlantic Terrorist Organisation”, ishin disa nga mbishkrimet e protestuesve.

Protestë mbarëpopullore u organizuar të premten (22.04) pasdite edhe nga e LR-PDSH, RDK, OVL, Ilyrikum Libertas dhe familjarët e të burgosurve të rastit “Monstra”. Organizatorët kanë thënë, se po protestohet kundër obstruksioneve ndaj Prokurorisë Speciale, proceseve të montuara politike, burgosjeve të shqiptarëve, kundër sistemit diskriminues, neglizhent dhe antidemokratik. /Telegrafi/

Exit mobile version