Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar këtë të martë me shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, me të cilin ka diskutuar rreth situatës së sigurisë në Kosovës, me theks të veçantë në veri të vendit.
Maqedonci ka thënë se edhe pse sulmi terrorist i 24 shtatorit ka ngjallur shqetësim tek të gjithë, ai është menaxhuar në mënyrën jashtëzakonisht profesionale nga ana e Policisë së Kosovës, dhe “për këtë ishim që të dy dakord”.
“Shefin e EULEX-it e falënderova për mbështetjen ofruar Policisë së Kosovës gjatë kësaj kohe përmes prezencës së EULEX-it në veri, gjë që sigurisht ka kontribuar në stabilizimin e situatës”, ka shkruar ministri në Facebook.
Tutje, ai ka theksuar se me kujdes të shtuar si dhe në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe KFOR-it janë duke monitoruar situatën që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
“U dakorduam që kemi interesa te përbashkëta për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Maqedonci. /Telegrafi/