Sadio Mane ka shpjeguar vendimin e tij për t’u larguar nga Liverpooli, duke thënë se nuk iu desh shumë kohë për të zgjedhur Bayern Munich.
Gjigantët gjermanë janë në prag të kompletimit të nënshkrimit të senegalezit në një marrëveshje me vlerë 40 milionë euro.
Ai u fotografua me një fanellë stërvitore të Bayernit teksa i nënshtrohej testeve mjekësore të martën.
Dhe, Mane tani ka hedhur dritë mbi kalimin e tij në klubin e Bundesligës, duke pranuar se ishte i vendosur ta bënte këtë lëvizje pasi të dëgjonte për interesimin e tyre.
“Kur agjenti im më tha për herë të parë për interesimin e Bayernit, u emocionova menjëherë”, deklaroi ai për BILD.
“E pashë veten aty menjëherë. Për mua ishte klubi i duhur në kohën e duhur. Është një nga klubet më të mëdha në botë dhe ekipi është gjithmonë duke luftuar për çdo titull. Kështu që, për mua ishte një ide shumë e mirë dhe vendimi i duhur të vija këtu”.
#Mané im #FCBayern-Shirt. @mano_bonke pic.twitter.com/er6Vhe7FUk
— Philipp Kessler (@kessler_philipp) June 21, 2022
I pyetur për vendimin e tij për t’iu bashkuar Bayernit, Mane u përgjigj: “Agjenti im më tha se kishte interesim nga klube të tjera. Kjo është pjesë e biznesit. Por, e ndjeva menjëherë kur Bayern ma prezantoi planin e tyre. E gjeta veten në planin e Bayernit më shumë se kushdo tjetër”.
Mane, i cili fitoi Ligën e Kampionëve me Liverpoolin në vitin 2019, u pyet nëse ai do ta drejtojë ekipin e tij të ri në një finale evropiane.
“Nuk dua të them jo. Çdo fëmijë dëshiron të fitojë Ligën e Kampionëve, çdo futbollist në botë. Unë jam me një ekip shumë, shumë konkurrues tani”.
“Por, është ende pak herët për të folur për finalen e Ligës së Kampionëve, ne nuk kemi luajtur ende një lojë së bashku. Megjithatë, ne do të japim gjithçka për të kaluar në finale”, ka shtuar më tej ai.
Mane shënoi 120 gola gjatë kohës së tij në Liverpool, ndërsa planifikon të lërë gjurmë në ligën më të mirë të Gjermanisë. /Telegrafi/