Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Pelelshi deklaroi sot për mediet pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës se “ne do të bëjmë çfarë do të na këshillojë Komisoni i Venecias, pavarësisht se mendimet e Komisionit të Venecias nuk janë detyruese, por ne do t’i zbatojmë”.
I pyetur nga gazetarët lidhur me qëndrimin e deputetëve të PS-së në seancën e 13 shtatorit për mandatin e Xhaçkës, Peleshi tha se “nga njëra anë kemi të drejtën e deputetit të votojë siç e mendon ai dhe nga ana tjetër kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që është për t’u zbatuar”, tha Peleshi.
Peleshi u shpreh se “sa i përket vendimmarrjes politike të grupit parlamentar, ne e bëmë pjesën që na takonte e çuam menjëherë nga Këshilli i Legjislacionit në seancë. Kjo ishte pjesa politike e jona”.
Pyetjes se është një nga deputetët që ka abstenuar, Peleshi iu përgjigj se “po kam votuar abstenim sepse unë bëj pjesë në atë grup deputetësh, të cilët janë të paqartë për prevalencën, pra kush prevalon vullneti i lirë i çdo deputeti apo vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Meqenëse kemi këtë lloj konkurrence të së drejtave ne i jemi drejtuar Komisionit të Venecias”, sqaroi Peleshi.
Peleshi theksoi gjithashtu se “pas insistimit të Gjykatës Kushtetuese e cila disponoi me një vendim të dytë edhe shumë eksplicit patjetër u krijua kjo paqartësi, nga njëra anë vendimi insistues i Gjykatës Kushtetuese dhe nga ana tjetër mungesa e mekanizmit për të detyruar çdo deputet të ngrejë dorën siç e mendon vetë”. /Telegrafi/