Site icon Telegrafi

Manastiri i Deçanit, ku ruhet shandani i dhuruar nga Skënderbeu

Nga: Valter Shtylla

Manastiri i Deçanit ndodhet rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, në periferi të qytetit të Deçanit. Në fillimet e Grykës së Deçanit, nëpër të cilën rrjedh lumi i Bistricës, manastiri rrethohet nga pyje gështenjash e pishash, që kufizohen nga kreshpat e larta e të zhveshura të Bjeshkëve të Nemuna. Resorti historiko-turistik i këtij manastiri shtrihet ndërmjet Gjakovës dhe Pejës, dy nga qytetet më të njohura të Kosovës.

Kisha e Manastirit të Deçanit është ndërtuar në vitet 1327-1335 nga mbretërit nemanjidë, Stefani dhe Dushani, babai Stefan Uroshi III Deçani dhe i biri. Kjo kishë është realizim arkitektonik romaniko-gotik të shkollës dalmato-arbërore e bregut dalmat. Në arkitraun e portalit jugor të kishës lexohet mbishkrimi i arkitektit arbnor dom Vita Çuçi Françeskani. Dom Vita Çuçi ishte kryemurg i Kishës së Shën Mërisë në Kotorr, funksion që dhe në këto anë e kryenin përgjithësisht priftërinjtë arbërorë. Në ditët tona është ruajtur burimi se dom Vita me 18 shqiptarë gurgdhendës ndërtoi Kishën e Manastirit të Deçanit.

Thuhet se për projektimin e kishës së Deçanit, autori dom fra Vita është influencuar nga tipologjia e Kishës së Shën Serxhite Bakut, në fshatin Shirgj në lumin Buna në Shkodër, e cila është realizuar nga abati Pjetër Doka nga Shkodra. Në ato kohë, në Dalmaci ishin të njohura atelietë e skulptorëve dhe gurëskalitësve arbërorë në Ulqin, Tivar, Kotorr, Zarë e Split. Një skulptor i njohur ishte Miho Tivarasi, autor i punimeve në Kuvendin Françeskan në Raguzë (Dubrovnik), i cili mendohet se ka lënë gjurmë edhe në Kishën e Deçanit. Veç Deçanit, motivet e tij të ngjashme hasen edhe dhe në Raguzë e në Katedralen e Novobërdës. Veç burimeve nga arkiva e Raguzës, edhe mjaft studiues të huaj shprehen për origjinën arbërore të Miho Tivarasit. Manastiri i Deçanit, e larta, u ndërtua si vepër përshpirteshe e Stefan Uroshit III Deçanski.

Në këtë kompleks religjioz, kisha përfaqëson objektin kryesor të tij. Në fillim u ngritën muret rrethues të manastirit, një lloj fortifikimi i kompleksit, i pajisur dhe me kullat tipike mbrojtëse. Vijuan ngrehinat me ambientet e banimit të monarkëve, si dhe trapezaria dhe spitali, i cili funksionoi gjatë gjithë mesjetës. Tërësia e Manastirit të Deçanit përbëhet nga tri njësi funksionale. Kisha, është një vepër mbresëlënëse arkitekture dhe arti. Trapezaria është në anën veriore dhe ndërtimet dykatëshe rreth kishës në qendër ku ndodheshin ambientet e banimit të priftërinjve. Në ballin e konakëve, çardakët transparentë përbënin hapësira relaksi dhe ndërlidhje ndërmjet dhomave.

Fra Vita e realizoi këtë vepër të spikatur arti me shpirtin e arkitekturës perëndimore romano-gotike. Realizimi arkitektonik, teknika fine e mureve dhe pilastrave, skalitjet e portaleve, plastika e dritareve, si dhe pasuria dhe larmia e elementëve të ndryshëm në interier si afresket, ikonostasi, shandanët etj., e vlerësojnë Kishën e Manastirit si një vepër nga më të respektuarat në gjininë e saj.

Nga pikëpamja teknike, kisha qëndron mjaft solide, duke i rezistuar mjaft mirë një periudhe të gjatë pothuaj shtatë shekullore. Për vlerat e veçanta që Manastiri i Deçanit mbart mbi vete si kompleks historiko-religjioz, si vepër arti dhe arkitektonike dhe për vlerat ambientale-natyrore, në vitin 2004 është shpallur Pasuri e Kulturës Botërore, e mbarë njerëzimit, nga ana e UNESKO-s. Ndërtesa më e rëndësishme e manastirit, pas kishës, është trapezaria, mensa ku shërbehej ushqimi për monarkët. Këtu para dhe pas ngrënies lexoheshin lutjet. Sipas burimeve, trapezaria është ndërtuar në një kohë me kishën gjatë shekullit XIV.

Trajta origjinale e saj u ruajt deri në fillimin e shekullit XV. Në atë kohë, ndërtesa ishte më e madhe dhe më e dekoruar artistikisht. Sipas gjurmëve teknike dhe burimeve dokumentare, ajo përfaqësonte një sallë të madhe me afreske me dysheme me pllaka guri të gdhendura dhe me tavolina mermeri. Më se 150 pjesëtarë të komunitetit të manastirit mund të shërbeheshin për drekë në 17 tavolina të mëdha prej mermeri. Për igumenin veçohet një tavolinë me kolltuk mermeri, në qendër të hapësirës absidale në sallën qendrore. Sipas burimeve, veç fratit katolik Vita dhe mjeshtërve të tij që ndërtuan kishën, Stefan Uroshi III për realizimin e objekteve të tjera, si fortifikimi, banesat etj. pat angazhuar një murator ekspert, protomjeshtrin Gjergji me vëllezërit Dobroslav dhe Nikolla, të cilët duhet të jenë dhe autorët e ndërtimit të trapezarisë në gjysmën e parë të shek. XIV. Gjatë shekujve, trapezaria ka pësuar ndryshime të mëdha, kryesisht për arsye të djegieve.

Ndërhyrjet më të mëdha ajo i ka pasur gjatë shekujve XVII–XVIII, kur u prekën muret e saj. Megjithë transformimet historike të detyruara, duhet shprehur se trapezaria në themel ka ruajtur siluetën e saj origjinale. Salla qendrore ka trajtën e një katërkëndëshi kënddrejtë me gjatësi 32.5 centimetra, gjerësi 10.5 centimetra dhe nga ana jugore mbyllet nga një abside gjysmërrethore. Pas zjarrit të shkaktuar në shekullin e kaluar, trapezaria u nda në tri lokale. Në pjesën lindore është salla e madhe ceremoniale, ndërsa nga perëndimi është përshtatur një ambient më i vogël mensë për monarkët.

Salla e madhe lindore e trapezarisë sot është kthyer në ambient muzeal për ekspozimin e ikonave dhe të objekteve të tjera të lëvizshme më përfaqësuese të manastirit si shandanë, kryqe, punime me gdhendje druri e guri etj. Deri më sot, për Manastirin e Deçanit dhe vlerat e tij është shkruar dhe botuar shumë si në aspektin shkencor, edhe në atë të turizmit kulturor. Veç këtyre, në Manastirin e Deçanit ruhet një traditë gojore e transmetuar ndër breza nga arkimandritët që kanë drejtuar këtë objekt religjioz historik.

Dhe, është kjo traditë gojore e transmetuar që shprehet se në sallën e madhe qendrore të trapezarisë ndodhet një relikte shekullore që Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ia pati dhuruar këtij manastiri. Në këtë rast bëhet fjalë për shandanin me zinxhir të gjatë rreth tre metra, i varur në harkun mbi hyrjen në hapësirën e absidës gjysmërrethore, që mbyll sallën e madhe nga ana jugore. Në fundin e zinxhirit është montuar një rreth bronzi, nga qendra e të cilit shpërndahen tetë krahë koncentrikë, në mbarimin e të cilëve ngriheshin vertikalisht tetë qirinj. Shandani është trajtuar i tëri si një vepër arti me detaje bronzi të rrahura me forma floreale.

Kjo dhuratë e Skënderbeut, përveçse shpreh marrëdhëniet e mira të tij me këtë manastir, duke u mbështetur në formën kompozicionale të saj, ajo pason dhe një interpretim historik, që dhe ky mbështet faktin se shandani përfaqëson një objekt të familjes së Kastriotëve. Simboli apo stema e familjes së Kastriotëve mbi shqiponjën dykrenare ka yllin me tetë cepa. Kjo shihet qartë në vulën e tij zyrtare, që ruhet në arkivin historik të Dubrovnikut në Kroaci (Raguza e dikurshme). Yllin me tetë cepa e hasim dhe të gdhendur në varrin e djalit të Gjonit, i realizuar nga mjeshtri Jacopo della Pila, në vitin 1503 në portikun-oborr i brendshëm të Kishës Santa Maria la Nova të Napolit.

Këtë vepër në kujtim të nipit të saj e mundësoi gjyshja, Donika Kastrioti, gruaja e Gjergj Kastriotit. Në pllakën epitaf kushtuar nipit shkruhet: “Konstantin Kastrioti i varrosur këtu, i cili është prej gjaku e farefisi të kulluar mbreti dhe perandori dhe fisnik për dëlirësi dokesh, për dinjitet kryeprift i Izernias që vdiq para kohe”. Donika Komina, stërgjyshja nga babai, i bëri këtë varr të mrekullueshëm në vitin e 1500. Nga të dyja anët e varrit të murosur janë gdhendur dy brinjë, ku në gjysmën e lartësisë së tyre, në fushën e dy mburojave, janë dy shqiponjat, mbi kokat e të cilave dallohen yjet me tetë cepa. Në burime të ndryshme vërehet se ylli me tetë cepa apo më shumë cepa në simbolet e dinastive historike përfaqëson diellin.

Kështu, Filipi i Maqedonisë, babai i Aleksandrit, Leka i Madh, ka përdorur si simbol të tijin yllin me 12 dhe 16 cepa zbuluar në reliktet e arta të varrit të tij në Verxhina të Selanikut. Kësisoj, ylli me cepa përfaqëson diellin pa i dhënë rëndësi të veçantë numrit të cepave. Në burimet e ndryshme historike theksohet një lidhje ndoshta e trashëguar në shekuj ndërmjet Lekës së Madh dhe Kastriotëve. Në një epitaf tjetër mbi varrin e vëllait të Konstantinit, Alfonsit, kushtuar edhe ky varr nga gjyshja Donika në vitin 1503 në Real Manastirin San Trinidad në Valenca të Spanjës, ndërmjet të tjerave është gdhendur: “Escandabech krahasohej me mbretin Aleksandër të Maqedonisë”.

Shandani i Deçanit, përkrenarja dhe shpata në Muzeun e Vjenës përfaqësojnë reliktet e rralla nga periudha e Skënderbeut në lëmin e kulturës materiale. Nga historia mësojmë se Gjergj Kastriot Skënderbeu ka pasur marrëdhënie të dendura me dinastitë dhe fisnikët fqinje rreth dhe pranë trojeve arbërore. Sipas rastit ato ishin lidhje krushqie-familjare, aleanca ushtarake apo fetare etj. Ai mbante marrëdhënie të rëndësishme me dinastinë e Aragonëve të Napolit, që mbretëronin dhe në Valencia të Spanjës, ku veç nipit, Alfons, mund të jenë varrosur dhe gruaja Donika me eskortën kalorësiake të saj, gjë që duhet vërtetur me studime arkeologjike dhe historike. Familja e Kastriotëve kishte krijuar marrëdhënie krushqie me princat sllavë si me Stefan Crnojevicin e Malit të Zi, me Stefan Brankoviqin e Serbisë etj. Njihen gjithashtu lidhjet e Kastriotëve me manastiret e Malit të Shenjtë në Selanik, ku në Manastirin e Hilandarit, Gjoni, i ati i Skënderbeut, pat pronësuar kullën e Shën Gjergjit, e quajtur me emrin Pirgu i Shqiptarëve dhe ku u varros dhe i biri, Reposhi, monark në atë manastir. Mirëkuptohet se në kuadrin e këtyre marrëdhënieve normale me fqinjët mund të shpjegohet dhe gjesti i dhuratës – shandan që Gjergj Kastrioti Skënderbeu i pat dërguar Manastirit të Deçanit.

Në objektet fetare të trojeve të Kosovës, gjatë shekujve të sundimit turk ka qenë i njohur institucioni i rojeve (vojvodë) të kishave dhe manastireve. Shpesh, në vazhdim të pesë shekujve të këtij sundimi pashallarët e njohur vendës, Rrotllat në Prizren, Begollët në Pejë, Elez-Pashajt në Gjakovë, Gjinollët në Prishtinë janë konfliktuar me pushtetin qendror turk. Po kështu, edhe fiset vendëse herë pas here rebeloheshin ndaj organeve të pushtetit.

Pronat dhe titujt, edhe ato jo rrallë ngatërronin mes tyre feudalë dhe pasanikë, të cilët në shumë raste përfshinin në sherre fshatarët çifçinj. Këto konflikte pasonin anarki dhe çrregullime në këto troje duke rrezikuar pronat, bagëtitë etj. nga sulmet e ndryshme grabitqare. Në këto rrethana rrezikoheshin dhe kishat e manastiret, veçanërisht ato më të pasurat. Ngjarjet kanë dëshmuar se këto objekte në Kosovë janë mbrojtur jo vetëm nga rojet e ngarkuara, por edhe nga familjarët e tyre si dhe nga banorët e fshatrave pranë. Madje, mbrojtja dhe siguria e kishës, pasurisë së saj dhe famullitarit, me Kanun i ngarkoheshin çdo familje bajraku e fisi. Në Kishën e Deçanit, “Vojvodë”, ka qenë familja e Salih Rrustës, i cili në vitet ‘50 të shekullit XX ka qenë rreth 90 vjeç. Pavarësisht se familja kishte vojvodën, në fakt, kishat i kanë mbrojtur të gjithë fshatarët, fisi ose bajraku, sepse ato nuk mund të ruheshin vetëm nga një familje e caktuar enkas.

Kështu, gjatë shekullit XIX Manastirin e Deçanit e ka shpëtuar fisi i Gashit nga djegiet e plaçkitjet, pasi ky objekt ishte në besën e tyre. Ata thirreshin nga vojvoda i asaj kohe Rrustë Alija (Babai i Salih Rrustës). Vojvodët i kanë pasur ambientet e tyre në konakët e manastirit. Për detyrën që kryenin, manastiri u paguante atyre shpërblimin e caktuar. Kur ruante i vetëm, ai përfitonte 60 grosh në muaj (një dukat) dhe në rastet kur qëndronin dy persona, shpërblimi për të dy ishte 80 grosh. Vojvodat e manastireve janë përplasur shpesh me plaçkitës e dhunues të ndryshëm deri në vetëmohim.

Roje nga fshatrat shqiptare hasen dhe në manastire të tjera në Kosovë. Manastirin e Pejës e ruante familja e Zhuj Rugovës, ndërsa Kisha e Devicit në Drenicë mbrohej nga familja e Behram Vojvodës nga fshati Llaushë i Serbicës. Rojtarët – vojvodët e manastireve në Kosovë qenë logjikë e kushteve shoqërore që kanë dominuar gjatë shekujve në këtë trevë. Megjithë ambientin patriarkal, besëtytnitë dhe nivelin kulturor, morali ka qenë i lartë.

Ai ka përfaqësuar cilësitë themelore të shqiptarit të asaj kohe, të lartësuara në nivelet e kultit të vërtetë, të pasqyruara me besën, nderin, mikpritjen, burrërinë e trimërinë. Ishin këto cilësi të njohura të popullit të thjeshtë që shpëtuan nga shkatërrimi këto momente historike kulturore. Ato gjithashtu reflektojnë aspektin e tolerancës fetare e kombëtare të shqiptarëve të këtyre anëve, një akt shoqëror tipik për komunitetin shqiptar, tashmë i njohur nga të gjithë.

Exit mobile version