E ardhmja e sulmuesit të kombëtares shqiptare, Rey Manaj mund të jetë në Spanjë, në La Liga ose Segunda Division.
Sulmuesi në pronësi të Interit ka zhgënjyer pritshmëritë e klubit të tij, pasi në të dy aventurat e kaluara, i huazuar fillimisht te Pescara në Seria A, ndërsa më pas te Pisa në Seria B, nuk mundi dot të imponohet me lojën dhe karakterin e tij.
Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit zikaltër po konsiderojnë tashmë seriozisht një tjetër aventurë në huazim për Manajt, përcjell TS.
Kësaj here, pista më e sigurt për sulmuesin e përfaqësueses së Shqipërisë është ajo spanjolle.
Klubi zikaltër po tenton për një eksperiencë perëndimore për Manaj, me Spanjën favorite, pikërisht aty ku nuk mungojnë klubet e interesuara për shqiptarin. Në gjurmët e Rey Manaj janë vënë prej kohësh Granada dhe Las Palmas.
Referuar raportimeve të mediave italiane, pikërisht gjatë ditëve të ardhshme mund të marrë formë huazimi i Manaj.