Telegrafi

Man City e rinis me fitore Ligën Premier, mposht me lehtësi Arsenalin

Manchester City ka shënuar fitore me rezultat 3-0 ndaj Arsenalit në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të në Ligën Premier.

Qytetarët e kanë rinisur sezonin me një fitore ndaj Topçinjve, pas më shumë se tre muajve pauzë shkaku i coronavirusit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë dhe dominim të Cityt, të cilët shënuan edhe një gol, ndërsa Arsenali bëri dy ndërrime të detyruara shkaku i lëndimeve, ku të dëmtuar mbeten Granit Xhaka dhe Pablo Mari.

Xhaka e lëshoi fushën pas 7 minutave lojë (Foto: Dave Thompson/ Pool via Getty Images/Guliver)

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutat shtesë të pjesës së parë dhe ishte Raheem Sterling, i cili shënoi për 1-0 pas një gabimi të David Luiz.

Në pjesën e dytë, City përsëri ishte më i mirë dhe më kërkues, ndërsa vazhdoi të krijojë më shumë raste dhe të dominojë Arsenalin, i cili mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Luiz (49’) me të kuq.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 51-të të ndeshjes me anë të Kevin De Bruyne, i cili shënoi për 2-0 nga penalltia e shkaktuar pikërisht nga Luiz.

Kur pritej që ndeshja të përfundonte, ashtu nuk mendoi edhe djaloshi i ri Phil Foden që shënoi në minutat shtesë dhe vulosi fitoren 3-0.

Pas kësaj fitore, City e sheh veten në pozitën e dytë me 60 pikë apo 22 pikë më pas si lideri, Liverpooli, ndërsa Arsenali renditet i nënti me 40 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Qytetarët e presin Burnleyn, ndërsa Topçinjtë udhëtojnë te Brightoni. /Telegrafi/